Kreu i selisë rozë, Edi Rama, ka përshëndetur të gjithë qytetarët të cilët duke iu përgjigjur thirrjes së Partisë Socialiste, morën pjesë në protestën e djeshme e në fakt edhe pse motoja e kësaj proteste qytetare ishte jo dhunës qeveritare vetë protestuesit, përfaqësues të dy partive më të mëdha opozitare, asaj Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, shfaqën shenja të forta dhune mes tyre.

Arsyeja? Simbolet partiake, e pikërisht për këtë Rama i ka kërkuar falje qytetarëve që u shqetësuan nga këto skena.

Edi Rama: “Ju kërkoj ndjesë atyre dhjetëra mijëra qytetarëve e qytetareve që Partia Socialiste i ftoi në një manifestim pa flamuj, pa slogane e banderola partiake dhe u bezdisën nga shfaqja e shprehjeve të vjetra të ambicies së pjesshme”.

Për Ramën e ardhmja e opozitës shqiptare është ajo që u dëshmua në protestën e djeshme, një opozitë e cila është më e madhe se disa grupime partiake.

Edi Rama: “Nuk duhet të mbetemi peng i stereotipit të një opozite të kufizuar në një parti të madhe socialiste dhe disa grupime të vogla, por duhet të kalojmë tek shprehja e asaj që pamë dhe dje”.

Kryesocialisti në kundërshtim me kryetarin e partisë tjetër opozitare, Ilir Meta, i qëndron mendimit se forma e vetme për të rrëzuar pushtetin e Berishës është një politikë e mirë parlamentare.

Edi Rama: “Problemi ynë nuk është që të zëvendësojmë Sali Berishën me Jozefinën Berishën apo qoftë dhe me Lufter Berishën. Problemi ynë është të ndryshojmë qeverisjen e këtij vendi. Kjo bëhet duke i udhëhequr njerëzit në rrugën e zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme e për t’i pasur të lira dhe të ndershme duhet të kemi një kod zgjedhor”.

Petrit Vasili: “Zoti Rama ka kërkuar një falje sot. Duket ka qenë një falje e çoroditur për pasojë të mesazhit shumë të fortë që LSI-ja dha në shesh, një mesazh i cili shkon sigurisht për kundër frymës së flirtit tashmë sistematik të zotit Rama me zotin Berisha dhe nëse ka një falje të madhe është koha dhe vendi që zoti Rama diti të vijë ta bëjë dhe kjo falje ka të bëjë me faljen që ai duhet t’u kërkojë protestuesve të majtë dhe opozitarë në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, të cilët prisnin të dëgjonin nga kryetari i Partisë Socialiste qartë dhe prerë kërkesën e tij për dorëheqjen e Sali Berishës.”/tvklan.al

Gazetarja: Elja Zotka