Edi Rama: “Pa u hapur ende retë e zeza të 28 Qershorit mbi Fierin, Beratin, Shkodrën, Tiranën e gjetkë Sali Berisha dhe Ilir Meta nxituan të bëjnë publike marrëdhënien e tyre për ta vënë popullin opozitar përballë një fakti të kryer dhe për ta shkurajuar Partinë Socialiste në rrugën e kërkimit të mandatit të nëntë në Fier, të mandatit të pestë në Berat e me radhë deri në zbardhjen e plotë të këtij procesi pa standarde nga ku po del një qeveri, e cila quhet e integrimit evropian të Shqipërisë, por në fakt është e integrimit ekonomik të dy oborreve familjare e klanore në dëm të lirisë e demokracisë të vendit tonë dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Sali Berishën dhe Ilir Metën i bashkon politika e vjetër e dyfytyrësisë, e gënjeshtrës dhe mllefit, e interesave politike dhe ekonomike tërëisht personale e klanore. Ata janë sot shëmbëlltyra vetëdemaskuese e një teatri që u luajt për të marrë votat e shqiptarëve si kundërshtarë të betuar dhe për të krijuar pastaj me këto vota një aleancë të betuar kundër vullnetit të interesave të zgjedhësve shqiptarë kundër ndryshimit të vërtet kundër të vërtetës së 28 Qershorit dhe kundër Partisë Socialiste. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë sot dy fytyrat e të njëjtës gënjeshtër, e të njëjtit mllef, e të njëjtave interesa politike dhe ekonomike tërësisht personale e klanore që me shpifje të ulëta, diversione të neveritshme, përpjekje të dëshpëruara po mundohen të vrasin me një gur dy zogj, të legjitimojnë zgjedhjet e grabitura dhe të demoralizojnë e nënshtrojnë Partinë Socialiste. As njërën, as tjetrën nuk do ta arrijnë dhe sa më shumë të ngjajnë me njëri-tjetrin në shpifjet e tyre të paskrupullta, sa më shumë të plotësojnë njëri-tjetrin në lojën e tyre të turpshme, sa më shumë të orvaten në planin e tyre të dështuar për të përbaltur Partinë Socialiste dhe mua personalisht, aq më e qartë bëhet për të gjithë shqiptarët se ky çift i ri i politikës së vjetër ka lindur për të mbajtur peng të ardhmen e tyre, për të dhunuar vullnetin e tyre, për të plaçkitur atdheun e tyre. Duke përbuzur shpifjet e diversionet e të dyve bashkë dhe duke i siguruar që të dy edhe Sali Berishën, edhe Ilir Metën se sot Partia Socialiste është më e fortë se asnjëherë dhe se mua sulmet e tyre primitive vetëm më forcojnë bindjen dhe drejtësinë e një beteje që as kam ndërmend ta lë përgjysmë dhe as do ta fitojnë dot duke marrë peng qeverinë e Shqipërisë unë rinënvizoj sot me forcë në adresë të çiftit të ri të politikës së vjetër, atë që Partia Socialiste ka theksuar vijimësisht gjatë këtyre ditëve. Mos prekni mandatin e nëntë të socialistëve në Fier se do të përballeni jo vetëm mosnjohjen e zgjedhjeve, por edhe me reagimin e miratuar të popullit të Fierit e të të gjithë Shqipërisë.”/tvklan.al