Vëmendja që program i ri qeverisës i Partisë Socialiste i kushton femrës dhe integrimit të saj në shoqëri ishte në fokus të takimit që kryetari socialist, Edi Rama, zhvilloi me gra dhe vajza të kryeqytetit.
Duke e cilësuar barazinë gjinore si një domosdoshmëri për të ardhmen e shoqërisë, lideri i opozitës tha se pjesëmarrja e gruas në politikë është vetëm njëri nga aspektet, ku femrat mund të japin kontributin e tyre
Edi Rama: “Ne jemi plotësisht të bindur që gjendja jonë e vështirë ekonomike dhe shoqërore nuk do të ishte kjo në rast se gratë dhe vajzat do të kishin më shumë zë, do të merrnin pjesë më shumë, sigurisht duke pasur më shumë hapësirë për të marrë pjesë dhe do të kishin të drejtën e tyre në të gjitha vendimet që merren fatkeqësisht në të shumtën e herës pa to dhe që rëndojnë drejtpërdrejt mbi to, si vajza, si gra, si nëna”.
Kujdesi ndaj femrës do të jetë prioritet ynë, tha Rama, duke premtuar se qeverisja e pas 28 Qershorit do të ndërmarrë politika në favor të grave shtatzëna.
Edi Rama: “Neve kujdesemi për fëmijët e Shqipërisë qysh në barkun e nënës, duke u kujdesur për të gjitha nënat dhe asnjë nënë që do të sjellë gëzimin e lindjes së një fëmije në familjen e vet të varfër nuk do të jetë më vetëm në luftën me varfërinë. Pas 28 Qershorit do ta marrim ne përsipër konsultën mjekësore për të gjitha gratë shtatzëna të këtij vendi.”
Në këtë takim ishin të pranishme përfaqësuese të grave socialiste nga disa vende të botës, ndër të cilat edhe zv/presidentja e Internacionales dhe njëkohësisht kryetare e forumit të Gruas Socialdemokrate kroat, Katrin Berhman./tvklan.al