Problemet në bujqësi kanë dominuar takimin që kryesocialisti Edi Rama zhvilloi me vullnetarët e qytetit të Elbasanit, duke thënë se fermerët shqiptar nuk kanë mbështetje nga shteti Rama premtoi regjistrimin e tokës bujqësore dhe dhënien e certifikatës së pronësisë siç parashikon programi i socialistëve për këtë sektor.

Edi Rama: “Ne do të përfundojmë regjistrimin e tokës bujqësore dhe do t’u japim në dorë certifikatën e pronësisë bujqve e fermerëve, duke hedhur bazën e tregut të tokës. Sepse nuk mund të ketë një Shqipëri të mirë-ushqyer me një fshat të kthyer në epokën e mesjetës dhe nuk mund të ketë një Shqipëri europiane të zhvilluar ekonomikisht pa hapur epokën e kapitalizmit në fshat.”

Në Elbasan Rama tha gjithashtu se epoka e kapitalizmit në fshat do të nisë në 28 qershor me ardhjen e socialistëve në pushtet.

Edi Rama: “Ne do ta hapim këtë epokë në 28 qershor, duke e mbyllur procesin e certifikimit të pronësisë  mbi tokën bujqësore, mbi bazën e ligjit 7501, duke i kthyer bujqit dhe fermerët shqiptar nga bujkrobër që mbijetojnë pa pronë dhe mbështetje nga shteti, në zotë të tokës që e bashkëpunojnë me njëri-tjetrin me shtetin për të nxjerrë nga varfëria familjen e tyre, fshatin e tyre, atdheun e tyre.”

Edhe në këtë takim kryetari i PS ftoi fermerët që të lënë mënjanë  ndasitë politike e të bashkëpunojnë për të hapur një faqe të re në historinë e fshatit shqiptar siç dhe u shpreh ai. Ndërsa premtoi nisjen e një aleance historike me çdo banor të fshatit./tvklan.al