Në daljen e radhës për të rishhprehur shqetësimin mbi atë që është cilësuar skandali me farën e misrit, kryesocialisti Edi Rama ka bërë publike projektligjin që parashikon dëmshpërblimin e fermerëve të dëmtuar.
Një iniciativë kjo sikurse edhe citoi Rama, mbështetet në të drejtën kushtetuese të shtetasve për dëmshpërblim në rastet e shkeljes së ligjit.
Edi Rama: “Masa e këtij dëmshpërblimi, kriteret e këtij dëmshpërblimi, procedura e përfitimit të dëmshpërblimit financiar, janë objekt i këtij projektligji dhe unë e ftoj Sali Berishën të mos heshtë. Dëmshpërblimi financiar i menjëhershëm në masën 100%, në bazë të fitimit të pritshëm.”
Rama theksoi se vetëm gjatë pasdites së djeshme janë depozituar të paktën 100 ankesa nga fermerë të dëmtuar. Në të dy numrat që ka vënë në dispozicion PS për këtë qëllim.
Edi Rama: “Nga ana tjetër është qeveria që hesht, është kryeministri që vazhdon paradën e tij të shëmtuar, të prerjes së shiritave të pambaruar nëpër fshatra dhe hesht për bukën e gojës së mijëra familjeve. Që janë dëmtuar drejtpërdrejt për shkak të qeverisjes dhe nga një kompani që sot ka një monopol me rrënjë politike në këtë treg.”
Rama kërkoi menjëherë miratimin të projektligjit dhe reflektimin e mazhorancës në këtë drejtim. Drafti socialist parashikon të gjithë procedurën e identifikimit dhe shpërblimit financiar të të gjithë fermerëve që dështuan me mbjelljen e misrit këtë vit. /tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi