Edi Rama: “Kryeministri i Shqipërisë dhe forcat qeveritare duan të hapin dosjet e diktaturës komuniste për të mbyllur dosjet e diktaturës së korrupsionit.”
Duke i mëshuar fort këtij argumenti kryesocialisti Edi Rama gjatë deklarimit të tij tha se i ashtuquajturi ligji i spiunëve synon të godasë mbi të gjitha sistemin gjyqësor.
Edi Rama: “Sali Berisha kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar “in ekstremis” oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar.”
Rama garantoi gatishmërinë e opozitës për miratimin e një ligji që respekton kushtetutën dhe mbi të gjitha ndjek praktika të njohura ndërkombëtare në verifikimin e pastërtisë së figurave të zyrtarëve.
Edi Rama: “Apeli im për Sali Berishën është i qartë. Mos votoni sot me ngut atë që keni gatuar pa asnjë debat dhe asnjë mirëkuptim as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategori drejtpërdrejt të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë. Kthehuni në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve sepse të gjithë e dëshirojmë miratimin më në fund të një ligji evropian për çështjen e dosjeve të diktaturës komuniste”.
Por kryesocialisti Rama nuk dha ndonjë variant se cili do të jetë qëndrimi i grupit parlamentar socialist në kuvend në rast se mazhoranca nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i saj. Ai tha për gazetarët se gjithçka do të vendoset hap pas hapi./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi