Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Në selinë rozë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, ka diskutuar me socialistin Nano, rreth bashkëpunimit të dy partive dhe tryezës gjithëkombëtare të liderëve shqiptarë. Ndonëse nuk ka dhënë detaje konkrete rreth vizitës së parë në Kosovë, kryesocialisti Nano tha, se po koordinohen veprimet në të mirë të procesit të europianizimit të çështjes kombëtare shqiptare.

Fatos Nano, kryetar i PS:- “Unë mendoj se askush nuk është i tepërt, për të bashkuar zërin e vetë, autoritetin e vetë politik me faktor të tjerë që dëgjohen, që vlerësohen dhe që votohen nga shqiptarët në trevat përkatëse. Mbi këtë bazë kam kënaqësinë të rishfaq vlerësimin tim se iniciativat që vijnë nga Tirana apo Prishtina për të punuar së bashku dhe për të vepruar së bashku për objektiva të përbashkëta europiane të çështjes shqiptare, po integrohen në një agjendë veprimesh, që i shërben angazhimit tonë si partner të komunitetit euroatlantik”.

Ndërkohë kryetari i PDK Hashim Thaçi tha, se shqiptarët në Kosovë, po përpiqen për stabilitet dhe demokraci.

Hashim Thaçi, Kryetar i PDK:- “Biseduam për bashkëpunimin ndërpartiak PDK dhe PS, bashkëpunim të cilin do ta vazhdojmë në të gjitha fushat. Në kuadër të kësaj, biseduam edhe për situatën e tanishme në Kosovë, për procesin politik në Kosovë, për Kushtetutën e Kosovës, gjithashtu dhe për tejkalimin e problemeve në regjion, veçanërisht në Preshev dhe çështjet e ngritura në republikën e Maqedonisë”.

Pas takimit me kryesocialistin Nano, kryetari i PDK Hashim Thaçi ka pasur takime edhe me kryetarin e PD Sali Berisha, me Sabri Godon dhe kryerepublikanin Fatmir Mediun. Një pritje të veçantë kryetarit të PDK Hashim Thaçi, i ka rezervuar dhe ambasadori Amerikan në Shqipëri Josef Limpreht. /tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame