Lajme Arkiva 2003
Ushtarët tanë përfaqësues të trupave komando pasi kanë marrë pjesë në një mision paqeruajtës në Irak u kthyen përsëri në atdhe. Është një kompani prej 35 komandosh të cilët kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit rreth orës 6 të mëngjesit ndërkohë familjarë, të afërm shokë kishin disa orë që prisnin të takoheshin dhe të shihnin ata që përfaqësuan Shqipërinë në këtë mision paqeruajtës.
Ushtarët komande tregojnë për atë që përjetuan. Selim Lami sapo ka zbritur në tokën tonë ka shtrënguar në krahë fëmijën e vetë. Ai mban gradën e kapterit. Ndërsa zhvillonim një intervistë me të dikush nga mbrapa na thotë se kapter lami ishte ndër 5 ushtarët e parë shqiptarë të cilët arritën në Irak.
Ushtari: Ditën e parë ishim në një uzinë, prodhim armësh, qëndruam në Bagdad. Aty mund të kishte dhe lëndë helmuese, ndejtëm aty tre ditë pastaj jemi nisur në Mosul, në aeroportin e Mosulit, ku kemi shërbyer deri më sot.
Gazetari: Unë dëgjova se ju keni ikur ndër ushtarët e parë në këtë zonë, çfarë përjetuat?
Ushtari: Unë jam në 5 të parët që kemi qenë përfaqësues.
Një nënë flet për këto çaste e përmalluar, uron fat jo vetëm për fëmijën e saj por për të gjithë ata ushtarë të cilët kryejnë misione të tilla paqeruajtëse jashtë vendit.
Nëna e djalit: Ashtu si u kthye djali im sot si pëllumbi edhe ata të kthehen shëndosh e mirë nga Iraku si u kthyen këta sot. Jam shumë e kënaqur sot.
Vështirësitë në detyrë, malli për të afërmit i ka shoqëruar forcat tona gjatë muajve të qëndrimit në Irak, por megjithatë ata janë kthyer fitimtarë në tokën e tyre./tvklan.al