Çështja e shumëpërfolur për delimitimin e hapësirave detare dhe shelfit kontinental me Greqinë nuk duhet të shfrytëzohet nga opozita për të nxitur frymën ksenofobiste mes dy vendeve.
Deklarata vjen nga sekretari i përgjithshëm i partisë opozitare, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, një ditë pasi selia rozë e mbështetur nga disa subjekte jo parlamentare ankimoi në gjykatën kushtetuese marrëveshjen që përcakton kufijtë detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas zotit Solis, kjo çështje po shfrytëzohet nga kreu i socialistëve në dëm të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Leonard Solis: “Luajnë me ndjenjat nacionaliste brenda vendit dhe acarojnë dhe ngrenë tensione politike për të thënë që njëri e do Shqipërinë më shumë se tjetri. Në një kohë që edhe zoti Berisha edhe zoti Meta për çdo gjë mund të thuhet, por kanë dhënë prova që janë patriot shumë të mirë. Degjenerimi i një problemi kaq të rëndësishëm dhe i një shqetësimi kaq të madh duke u politizuar dhe duke u mediatizuar në kuptimin e keq për kredopolitike, është një lojë e rrezikshme me nacionalizmin e cila mbjell përçarje dhe në Shqipëri dhe në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Unë kurrsesi nuk mund ta besoj që zoti Rama dhe disa nga spekulantët e tjerë që janë aty e duan Shqipërinë më shumë se sa zoti Berisha, më shumë sesa zoti Meta.”
Për zotin Solis hetimi i kësaj marrëveshjeje të nënshkruar muaj më parë në Tiranë mes ish-ministrit të jashtëm, Lulzim Basha, dhe shefes greke të diplomacisë, Dora Bakojanis, është një e drejtë kushtetuese për opozitën.
Për këtë arsye sekretari i përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut deklaron se nevoja e një ekspertize të mirëfilltë ndërkombëtare do të përcaktonte qartazi nëse bëhet fjalë për një spekulim apo një akt juridikisht i bazuar në parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht të Konventën e OKB-së për Detin .
Leonard Solis: “Ne jemi plotësisht dakord që të shqyrtohet çdo lloj shqetësimi në lidhje me këtë çështje. Është një procedurë e cila po u ratifikua në parlament është e pakthyeshme dhe si e tillë meriton të vlerësohet dhe rivlerësohet nga grupe ekspertësh për të bërë çfarë është më e mira. Unë mendoj që ekspertiza ndërkombëtare, teknike me një zë të vetëm që kjo është bërë konform ose jo konform do të ishte zgjidhja më e mirë dhe këtë nuk mund ta japë asnjë gjykatës që nuk është ekspert, këtë nuk mund ta japë as Edi Rama që nuk e ka haberin se ç’është bërë në atë det atje dhe shumë nga ata që janë, dhe as Spartak Ngjela që nuk e ka haberin se çfarë ka ndodhur teknikisht.”
Deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vjen në një kohë kur Partia Socialiste dhe disa subjekte të tjera jo parlamentare ankimuan në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë me argumentin se nëpërmjet saj cenohet pavarësia territoriale e Shqipërisë, duke i kaluar hapësirë detare shtetit helen./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro