Dimri i ftohtë dhe dëbora e dendur kanë zbritur nga pyjet e Kukësit kopetë e ujqërve që janë afruar ndejshëm zonave të banuara. 4 prej kafshëve të egra kanë rënë pasditen e së martës në shënjestrën e gjahtarëve dhe banorëve të zonës.
Të alarmuar nga mbërritja e tyre deri në periferi të qytetit, ata kanë bërë pritë në vendin e quajtur Shtraze, ku dhe janë përballur me kopetë e ujqërve.
“Tek ne në Kukës ka shumë dhe si rezultat i borës janë shtuar shumë. Kemi shumë ankesa tek komuna e Kolshit, Pobregut si dhe rrethinat këtu afër. Si rezultat i kësaj kanë bërë edhe shumë dëm nëpër zonat e banuara. Ne si shoqatë kemi bërë jo më larg se dje një organizim dhe këtu afër qytetit në vendin e quajtur Shtraze, ne kemi vrarë vetëm 2 ujq. Dy të tjerë janë plagosur edhe ato dy duhet të jenë në gjendje për të ngordhur.”
Kafshët e vrara janë shëtitur në rrugët e qytetit të hedhura mbi kabinë e një makine dhe pastaj janë rrjepur për u marrë lëkurën.
Kopetë e ujqërve shfaqen sa herë vjen periudha e dimrit. Zbritja e tyre në afërsi të zonave të banuara ka sjellë jo pak herë dhe dëme në bagëti dhe kafshë të imëta./tvklan.al