Qyteti i Kukësit dje ka pritur dje mijëra ish-refugjatë kosovar të luftës të cilët gjetën shpëtim dhe strehë këtu e 10 vite më parë kur serbët detyruan rreth 500 mijë shqiptarë të Kosovës të linin shtëpitë e tyre dhe të shpërnguleshin për në Shqipëri. Në përkujtim të këtij 10 vjetori ish refugjatët e luftës por dhe banorët e Kukësit e vlerësojnë këtë ditë si historike.
Hasan Halili: “Populli shqiptar dhe në veçanti populli i Kukësit, hapën dyert dhe zemrat dhe ju krijuan ngrohtësi, strehim popullit vlla të Kosovës. shtëpitë e kuksianëve ishin të hapura deri në ditën kur vëllezërit tanë kosovar u kthyen në trojet e veta. Mikpritja kuksiane mahniti botën. Saqë qyteti i Kukësit u propozua për çmimin nobel për këtë mikpritje dhe bujari”.
Ramë Manaj: “Rreth 1 milion njerëz pleq, gra e fëmijë, mes tyre të sëmurë, invalid e të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e veta, por për krye gjithë kësaj ata nuk e kishin humbur shpresën se do të ktheheshin sërish në shtëpitë e veta në Kosovën e Lirë. Aq sa ishte me dhimbje e me vuajtje ndjenja dhe përjetimi i dëbimit nga trojet etnike si dhe përmasa e saj. Po aq e madhe qe dëshira dhe sakrifica e shtetit shqiptarë, qytetarëve të Kukësit dhe gjithë Shqipërisë në pritje dhe kujdes të jashtëzakonshëm”.
Festimet kanë nisur në orën 10 paradite dhe ku janë zhvilluar një sërë veprimtarish si ekspozitë fotografike dhe filmike si dhe aktivitete kulturore e sportive. Kulmi i aktiviteteve ka shënuar me inaugurimin e obeliskut në kujtim të eksodit. Aktivitetet kanë vijuar deri në mbrëmje./tvklan.al