Kundërshtarët e Tubimit Kombëtar të Francës kanë bërë disa marrëveshje në përpjekje për ta bllokuar fitoren bindëse të partisë së ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 7 Korrik.
Më shumë se 200 kandidatë që u kualifikuan për raundin e dytë nga aleanca e krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor, dhe nga koalicioni i qendrës i presidentit Emmanuel Macron kanë konfirmuar se nuk do të kandidojnë në raundin e dytë të së dielës për parlamentin kombëtar të Francës me 577 vende, sipas mediave vendase. Në mesin e atyre që e braktisën garën, janë edhe disa ministra të kabinetit. Prej tyre, 130 ishin të majtë dhe 82 të qendrës.
“Më duhet ta parandaloj Tubimin Kombëtar që të arrijë shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare, sepse do të ishte e tmerrshme për vendin dhe francezët”, tha kryeministri francez, Gabriel Attal.
Partia e Le Pen shkon në raundin e dytë në një pozicion me forcë të paprecedentë, e mbështetur nga suksesi i saj në raundin e parë dhe triumfi i saj në zgjedhjet evropiane në fillim të këtij muaji. Kandidatët e Tubimit Kombëtar dhe aleatët e tyre kryesuan garën në 296 nga 577 zonat elektorale të Francës të dielën e kaluar, duke fituar 39 prej tyre me mbi 50% të votave, një arritje që asnjë kandidat i ekstremit të djathtë nuk e kishte arritur më parë.
Këto rezultate e vendosin të djathtën ekstreme në rrugën e duhur për të fituar diçka midis 240 dhe 300 vendeve në Asamblenë Kombëtare me 577 vende, sipas sondazheve, duke i dhënë asaj deri tani numrin më të madh të vendeve në dhomën e ulët të parlamentit.
Nëse e djathta ekstreme fiton një shumicë absolute presidenti francez Emmanuel Macron pritet të emërojë 28-vjeçarin Bardella si kryeministër. Një marrëveshje e tillë do ta dobësonte presidentin si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke e detyruar atë t’i përshtatet sistemit të njohur si bashkëjetesë të ndarjes së pushtetit.
Ndërsa Macron do të ruante kontrollin e përgjithshëm mbi diplomacinë franceze, Bardella ka thënë se do të përdorte kompetencat e kryeministrit për të bllokuar furnizimin e Ukrainës me armë me rreze të gjatë. Me kontrollin mbi politikën e brendshme, një kryeministër i ekstremit të djathtë do të ishte i lirë të zbatonte platformën e partisë, e cila përfshin plane për të ulur emigracionin, për të kufizuar të drejtat e qytetarëve francezë me shtetësi të dyfishtë për të punuar, etj.
Klan News