Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person me precedent penal. Elidon Kotorri 49 vjeç është arrestuar për shkak se ka kundërshtuar efektivët e policisë. Të shtunën në darkë në sallën operative të policisë mbërriti informacion për një konflikt mes disa personave.
Në momentin që patrulla ka mbërritur në vendin ku po ndodhte sherri, Kotorri nuk i është bindur efektivëve dhe është përplasur me ta. 49-vjeçari është arrestuar për veprën penale të kundërshtimit të efektivëve të policisë.
Elidon Kotorri është një emër shumë i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai është dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm për vrasjen e 3 personave dhe plagosjen e një të 4. Krimi i rëndë ndodhi në vitin 1998.
Nga breshëria e plumbave mbetën të vrarë: Andi Hasanit, Sokol Alushi dhe Gazmend Zeneli. Në vitin 2015, pas një vendimit të Strasburgut çështja penale ndaj Kotorrit u rihap në gjykatë
Gjykata e shkallës së parë në Tiranë pranoi gjykimin e shkurtuar dhe e dënoi me 25 vite, nga të cilat Kotorri ka kryer 19 vite, ndërsa ka përfituar edhe ulje.
Nga hetimet rezultoi se Kotorri e kreu vrasjen për hakmarrje, pasi Andi Hasani në vitin 1998 kishte vrarë mikun e tij Elton Zajmi.
Elidon Kotorri ka pasur edhe një tjetër çështje me drejtësinë, ku është proceduar në gjende të lirë nga Policia e Tiranës në 2023. 49-vjeçari u proçedua gjatë aksionit për heqjen e kamerave pasi rezultoi se ai i kishte vendosur në kundërshtim me ligjin në zonën ku jetonte.
Klan News