Procesi i pajisjes me karta identiteti dhe pasaporta biometrike është duke vazhduar normalisht. Sipas nëndrejtorit të përgjithshëm të Postës Shqiptare Fadil Smajlaj deri më sot në sportelet e postës shqiptare janë shitur 1 milion e 100 mijë kupona, në 551 zyrat e postës të cilat mbulojnë 470 njësitë e aplikimeve.

Fadil Smajlaj: “Që t’u bëjmë thirrje të gjithë forcave politike shqiptare që të angazhohen totalisht dhe të mos pengojnë procesin e pajisjes së qytetarëve me pasaporta elektronike. Njëkohësisht ju bëj thirrje dhe gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që janë, ku në çdo moment mund të pajisen me kupona në të gjitha zyrat postare të cilat punojnë nga ora 8 deri në orën 20 çdo ditë, përfshirë ditët e pushimit, ditët e festave dhe ato largohen nga zyra postare vetëm atëherë kur të jetë larguar dhe qytetari i fundit.”

Drejt përfundimit është procesi i rimbursimit të pensionistëve i cili është në masën 80%, ndërkohë në masën 98% është në disa qytete si në Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Korçë. Me ritme të shpejta po ecën dhe shitja e kuponave me vlerën 200 lekë.

Fadil Smajlaj: “Janë rimbursuar rreth 80% e pensionistëve në të gjithë territorin e vendit dhe ka kaluar rimbursimin mbi 98% në filialet e postave të Tiranës, të Lezhës, të Shkodrës, të Kukësit, të Matit dhe vazhdon procesi në mënyrë të rregullt, në mënyrë shumë të shpejtë. Po ecën edhe shitja e kuponave me vlerë 200 lekë.”/tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi