Ka përfunduar edicioni i nëntë i kursit të licencimit të trajnerëve për nivelin “UEFA Pro”, që është edhe më i larti për një trajner futbolli.

Kursi i UEFA-s, por i organizuar dhe udhëhequr nga Sektori i Edukimit në FSHF, zgjati rreth 12 muaj, ndërsa 21 figura të njohura të futbollit, morën diplomën “UEFA Pro”.

Në ceremoninë e zhvilluar nga FSHF, në “Shtëpinë e Futbollit”, mori pjesë edhe presidenti i Federatës, Armand Duka.

Numri 1 i futbollit në vend, tha se shpreson që këta trajnerë të ndihmojnë futbollin shqiptar, ndërsa shtoi se dera e FSHF-së është e hapur për bashkëpunime dhe për përmirësimin e sportit më popullor në Shqipëri.

“Ju falënderoj për punën tuaj gjatë këtij viti në kursin UEFA PRO. Jam shumë i sigurt që ju e konsideroni këtë kurs ashtu sikurse duhet ta konsiderojnë të gjithë, jo thjesht si një kurs për të marrë një licencë, por për të zhvilluar njohuritë. Jam shumë i bindur që në kurse nuk zhvillohen njohuritë duke dëgjuar lektorët, por duke shkëmbyer eksperienca sepse ju jeni të gjithë trajnerë profesionistë, keni eksperienca për të ndarë me njëri-tjetrin por edhe me lektorët.

Trajnimi është një nga kolonat bazë dhe për këtë ne në strategjinë tonë jemi përqendruar ta përmirësojmë sa më shumë në mënyrë që të ndihmojmë futbollin. Ne në FSHF zhvillojmë të gjitha nivelet e kurseve, që nga C-ja tek UEFA PRO, në numër dhe në kualitet të kënaqshëm dhe dua të falënderoj drejtorin Pea, drejtorin e Shkollës, Sulejman Starova, Alban Tafaj dhe të gjithë ata që punojnë. Kurset e FSHF-janë kualitative. Tani pritet që ato që ju keni shkëmbyer në kurse, t’i implementojmë në terren, ta ndihmojmë futbollin.

Ju jeni niveli më i lartë, në nivelin e lektorit tashmë. Jo vetëm se merrni diplomën, por për të gjithë eksperiencën dhe kontributin tuaj në futbollin e luajtur dhe në trajnim. Dera e FSHF-së do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunime dhe përmirësimin e futbollit”, u shpreh Duka.

Disa nga emrat më të njohur të futbollit që morën diplomën “UEFA Pro” janë: Pablo Javier Girod Zabaleta, Armend Dallku, Ledian Memushaj, Edmond Kapllani, Erbim Fagu, Gilman Lika, Emiljano Çela, Tefik Osmani, Albina Rrahmani dhe Tahir Batatina. /tvklan.al