Gruaja shtatzënë nuk duhej të udhëtonte
Një familje shqiptare është deportuar nga Islanda mëngjesin e së martës. Lajmi bëhet i ditur nga mediat lokale, të cilët thonë se deri më tani nuk dihet kush urdhëroi largimin e tyre nga vendi. Ata mësojnë se mes të deportuarve është dhe një grua nëntë muajshe shtatzënë.
“Familja nuk kishte marrë asnjë paralajmërim. Çështja e tyre ishte akoma në apel. Ekipi mjekësor, i cili ekzaminoi gruan tha se ajo nuk ishte në gjendje të udhëtonte. Është e paqartë se cili e porositi deportimin e tyre”, thuhet në një prej mediave lokale.
Bashkëshortët shqiptarë, identitetet të cilëve nuk bëhen të ditura, kishin edhe një fëmijë dyvjeçar me vete. Policia shkoi në banesën ku po qëndronin mbrëmjen e kaluar dhe i arrestuan. Aty u komunikua edhe vendimi për deportim të menjëhershëm.
Por mediat shprehen se sipas ligjit, autoritetet duhet t’i njoftojnë azilkërkuesit përpara deportimit. Përveç kësaj, familja shqiptare ishte në pritje të vendimit nga Bordi i Apelit për Emigracionin.
Gruaja shtatzënë për shkak të stresit u dërgua në spital. Atje iu nënshtrua një ekzaminimi, ku stafi vërtetoi se ajo nuk ishte në gjendje të udhëtonte dot. Por policia shkoi në maternitet dhe nxorri një ekzaminim të një mjeku të zyrës së emigracionit të bërë disa ditë më parë, e ku thuhej se ajo ishte në gjendje të udhëtonte.
Ata u arrestuan dhe rreth orës 5:00 të mëngjesit u dërguan në aeroport për të bërë deportimin e tyre.
“Çështja shënon një kthim në precedentët e së shkuarës kur vjen puna të deportimet dhe dhunon ligjet në Islandë, por dhe ato ndërkombëtare. Personi që urdhëroi largimin e tyre mbetet ende i panjohur”, thonë mediat lokale. /tvklan.al