Bujari dhe Dina ishte çifti që fitoi garën në episodin e fundit të edicionit të gjashtë të “Lufta e Nuseve”, që transmetohet në Televizionin Klan. Ata morën vlerësimet maksimale nga nuset konkurrente.
Dasma e parë e këtij episodi ishte dasma e çiftit fitues. Por si nisi historia e tyre e dashurisë?
Një grup auditi ia behu në klinikën universitare, ku Dina ishte kontabiliste në Baselin zvicerian. Probabiliteti që në këtë grup kontrolli të kishte një shqiptar ishte i vogël, por fati nuk është çështje matematike. Shefi i grupit ishte një shqiptar nga Mitrovica, për më tepër shumë i bukur në sytë e kontabilistes me përvojë. Emocionet e ndonjë gabimi profesional u harruan shpejt nga Dina. Raporti i kontrollit po vonohej dhe vazhdimisht kërkoheshin të dhëna shtesë, të cilat Dina ia niste me një zell më shumë se profesional Bujarit. Email-et zyrtare kishin filluar të përziheshin edhe me elemente personale… Ky ishte fillimi jo i zakontë i një historie dashurie.
Dasma e dytë ishte ajo e Anisës dhe Alfredit. Si e kujton dhëndri herën e parë kur shikimet e tyre u ndeshën?
“Vajza me sy të bukur ishte mbretëresha e asaj mbrëmjeje”, shprehet Alfredi. Ai ishte student i Kimisë në Universitetin e Romës, ndërsa ajo studionte Juridik. Por përveç kimisë, pasioni i madh i tij ishte edhe fotografia! Fokusi i aparatit të tij tërhiqej nga e bukura dhe Anisa “rrëmbeu” jo vetëm fokusin e aparatit, por edhe zemrën e fotografit të asaj mbrëmjeje rinore! Ishte dashuri me shikim të parë! Alfredi i la të gjithë të tjerët, Anisa bënte poza fantastike! Të nesërmen Anisa e mori në telefon për t’i kërkuar fotot e mbrëmjes së shkuar. Ehhh, tashmë kimia dhe fotografia po luftojnë për vendin e dytë e të tretë. Në vend të parë mbretëron Anisa!
Episodi i fundit i edicionit të gjashtë të “Lufta e Nuseve” u mbyll me dasmën e Arjanës dhe Klintonit. Por si u njohën ata?
Arjana ishte me kushëririn e saj kur takoi rastësisht në qytet Klintonin, mikun dhe kolegun e kushëririt. Pas pak kohe ata vendosën të shkojnë së bashku në një festë. Arjanës i mbetën sytë te miku i kushëririt, pasi ishte i ri, tërheqës dhe fjalëpak. Fakti që ishte 3 vjet më i ri nuk përbënte asnjë problem. Ia bëri të qartë kushëririt fiksimin. Pas disa kohësh, kushëriri i thotë Klintonit: “Nëse të pëlqen kushërira ime foli pa problem, nuk ka pse druhesh prej meje”. Ishte një mënyrë për të shkuar te dashuria… Një ditë në telefonin e Klintonit mbërriti një sms e papritur e një ish-mikeshe. Kaq duhej të plaste “lufta”. Zënkat janë pjesë e dashurisë dhe me Arjanën je gati gjithmonë. Koha e paqtë, e qetë dhe me diell është pothuaj e barabartë me atë me furtunë e rrebesh./tvklan.al