Klevis Luka ishte vetëm 22-vjeç.
I lindur në Tiranë, ai jetonte prej vitesh në Livorno të Italisë. Punonte në një piceri të njohur në Livorno, që drejtohej nga prindërit e tij.
Ai u shua pasditen e së mërkurës, pas një dite agonie në spital.
Të martën, rreth orës 5 të mëngjesit, Luka sëbashku me mikun e tij Imafidon Oduware, 21-vjeç u përplasën me një kamion.
Miku i shqiptarit gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa Luka u transportua në gjendje të rëndë në spital. Pavarësisht përpjekjeve, i riu nuk mundi të mbijetojë.
Tragjedia ndodhi në superstradën Firenze-Pisa-Livorno. Luka dhe Oduware po ktheheshin në shtëpi pasi kishin kaluar mbrëmjen në provincën e Firenzes.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Luka, i cili ishte në timonin e makinës, për shkaqe ende të paqarta u përplas me forcë me kamionin, që ishte i parkuar në mënyrë të rregullt.
Dyshimet janë se i riu humbi kontrollin e automjetit për shkak të shpejtësisë së madhe dhe lagështisë në rrugë. Megjithatë, autoritetet italiane vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë.
Siç shkruajnë edhe mediat fqinje, por që mund të dallohet lehtësisht edhe në rrjetet sociale, Klevis Luka ishte djalë i dashur dhe i njohur në komunitetin ku jetonte.
Të shumtë janë miqtë e tij, të cilët në rrjetet sociale shprehin dhimbjen për humbjen e madhe të të riut.
Në profilin e 22-vjeçarit mund të dallohet gjithashtu se ishte i apasionuar pas muzikës elektronike dhe festave, ku shkonte bashkë me miqtë e tij të shumtë.
/tvklan.al