Një aksident tragjik ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit në Tiranë tek kryqëzimi i 21 Dhjetorit ku humbën jetën 2 persona. Një prej viktimave ishte edhe Luan Cenollari, i cili ka qenë në drejtimin e një prej mjeteve të përfshira në aksident.
Mësohet se Cenollari ka qenë punonjës i Policisë së Burgjeve me një karrierë mbi 20 vite në shërbim. Ai ishte punonjës i Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Babai i dy fëmijëve ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe pamundësia për të përballuar kostot e jetesës në kryeqytet e kishte detyruar që të punonte si taksist në shërbim të qytetarëve.
Detajet në lidhje me Cenollarin i dha Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë, e cila në një postim në rrjetet sociale i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës duke i garantuar se do të t’u gjendet pranë me gjitha mundësitë e saj.
“Prehu në paqe kolegu ynë i nderuar”, shkruhej në reagimin e sindikatës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 3:20 të mëngjesit sipas njoftimit të policisë. Dy mjete u përfshinë në aksident, ku një nga to drejtohej nga Cenollari dhe tjetrit nga 30-vjeçari Emirjan Doko. Si pasojë e përplasjes humbi jetën edhe 69-vjeçari, Ali Bejo që udhëtonte me Cenollarin.
Aktualisht dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia e lartë me të cilën udhëtonte Doko. Po ashtu dyshohet se ai ka qenë i alkoolizuar gjatë drejtimit të mjetit dhe se ka kaluar rrugën me semaforë të kuq. Në makinën e tij, policia gjeti një pushkë./tvklan.al