Rrugët e Tiranës janë thuajse të boshatisura gjatë orëve të natës, edhe për shkak të kufizimit të lëvizjes si pasojë e pandemisë. E në vend që të jetë një faktor që ulë rrezikun për aksidente, orët e para të kësaj të enjteje duket se bëri të kundërtën.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, ishte në kryqëzimin e 21 Dhjetorit, aty ku ndonëse policia e ka pastruar vendin e ngjarjes, gjurmët e përplasjes mes 2 makinave, janë ende të dukshme.

2 janë viktimat e aksidentit tragjik. Gjithçka ndodhi në këtë kryqëzim, rreth orës 03:20.

Dy makina u përplasën me njëra-tjetrën, një përplasje që ishte aq e fortë sa mjetet u shkatërruan. Viktimat, Luan Cenollari dhe 69-vjeçari Ali Bejo, ndodheshin në të njëjtën makinë. Cenollari ishte shofer, ndërsa Bejo pasagjer. Ata gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes.

Shoferi i makinës tjetër, që sipas të gjitha të dhënave deri më tani rezulton si shkaktar i ngjarjes së rëndë ishte 30-vjeçari Emirjan Doko. Ai mbeti i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Traumës.

Pritet që pasi gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet, 30-vjeçari të japë versionin e tij të ngjarjes. Deri në këto momente, të dhënat e rëndojnë pozitën e tij. Ai dyshohet se ishte i dehur, me shpejtësi tej normave të lejuara dhe kaloi me semafor të kuq… Në makinë iu gjet edhe një pushkë, që mbetet e paqartë nëse e kishte ose jo me leje.

Kryqëzimi i 21 Dhjetorit është një ndër pikat kyçe për të lëvizur në brendësi të kryeqytetit, ndaj është një kryqëzim që ka gjithnjë qarkullim të automjeteve. Gazetarja Daci thotë se semaforët kanë qenë funksionalë dhe sjell edhe raste të tjera të aksidentesh pikërisht në këtë vend, që duket se kanë shpesh të njëjtin shkak: Mos respektimin e sinjalistikës.

“Kemi pasur të paktën 2 aksidente të ndodhura gjatë këtij viti ku, në një rast si pasojë e shpejtësisë së madhe një drejtues automjeti përplasi një këmbësore në krahun tjetër të semaforit”, tha ajo.

Kush është polici, baba i dy fëmijëve që humbi jetën në aksidentin tragjik në Tiranë

Foto e Luan Cenollarit e marrë nga Sindikata e Shërbimeve Policore në Shqipëri

Një prej viktimave ishte Luan Cenollari, i cili ka qenë në drejtimin e një prej mjeteve të përfshira në aksident.

Mësohet se Cenollari ka qenë punonjës i Policisë së Burgjeve me një karrierë mbi 20 vite në shërbim. Ai ishte punonjës i Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Babai i dy fëmijëve ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe pamundësia për të përballuar kostot e jetesës në kryeqytet e kishte detyruar që të punonte si taksist në shërbim të qytetarëve.

Detajet në lidhje me Cenollarin i dha Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë, e cila në një postim në rrjetet sociale i shprehu ngushëllimet familjes së viktimës duke i garantuar se do të t’u gjendet pranë me gjitha mundësitë e saj.

“Prehu në paqe kolegu ynë i nderuar”, shkruhej në reagimin e sindikatës./tvklan.al