Shikoni me kujdes sytë e presidentit Sejdiu. Ai po shikon tabelën, e cila tregon rezultatet e votimit në Kuvend.
Ky burrë dhe tjetri pranë tij e kanë me shumë rëndësi që ekrani të tregojë shifrën 81 me ngjyrë të gjelbër. Këtë e konfirmon kryetari i Kuvendit, ndonëse me pak telashe.
Jakup Krasniqi: “Në 81 vota pro, 3 vota kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin fizik të kufirit ndërmjet republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.”
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë u ratifikua për të cilin duheshin të paktën 80 vota të deputetëve. Kjo nuk ishte punë e lehtë, votimi i parë dështoi.
“Kuvendi nuk e ratifikoi marrëveshjen unë ju njoftova që duhet të jenë 80 vota.”
Deputetët nuk u bindën as pas fjalimit të presidentit.
Fatmir Sejdiu: “Pavarësisht nxitjet e herë pas hershme që mund të jenë dëgjuar ne mendojmë se do të fillojmë po kështu një epokë të re të zhvillimit të marrëdhënieve edhe ashtu të mira me Republikën e Maqedonisë.”
Të kota ishin edhe përpjekjet e Thaçit me gjithë shpjegimet.
Hashim Thaçi: “Më lejoni t’iu them se falë punës së madhe që është bërë, diku 99% e problemeve që kanë ekzistuar janë zgjidhur në mënyrë të drejtë përmes kësaj marrëveshje.”
U deshtë një ripauzë dhe një ritubim për ta provuar prapë, edhe kësaj radhe pati telashe.
Jakup Krasniqi: “Për … pengesat teknike edhe njëherë të përgatitet për votim dhe voton tani.”
Sidoqoftë u votua me dorë, dikush u ankua për këtë mënyrë të votimit.
“Tre deputetë nuk kanë votuar as pro, as kundër, as abstenim. Do të thotë nuk kanë marr pjesë, unë jam një, një është Qamile Morina dhe Ibrahim Agolli.”
Ratifikimi i hap rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve që pritet të bëhet javën e ardhshme./tvklan.al