Në prag të ndryshime të pritshme në statutin e partisë janë shtuar zërat që kërkojnë zgjidhje që garanton funksionimin e plotë të Partisë Demokratike.
Një logjikë që niset nga bashkë-fuksionimi i emrave të njohur të partisë si në qeveri e me poste drejtuese në selinë blu, i konsideruar si fakt për lënien jashtë dore të partisë.
Debati në fakt është i hershëm u la në heshtje edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, por u rihap në pritje të Kuvendit Kombëtar të partisë.
Edi Paloka: “Katër vitet para këtij mandati të ri edhe unë mendoj që në njëfarë mënyre është lënë pak jashtë dore funksionimi i partisë në qendër mbase dhe në bazë. Prandaj mendoj që është e arsyeshme që ne t’i japim zgjidhje këtij problemi. Se si jepet zgjidhje duke ndarë funksionet e disa drejtuesve nga ato të administratës apo të gjendet në formë tjetër, kjo për mua pak rëndësi ka. E rëndësishme është që selia e PD-së nuk mund të rrijë më bosh apo me vetëm një njeri.”
Edi Paloka thotë se situata duhet të marrë zgjidhje qoftë kjo dhe me ndarjen vetëm të sekretariatit nga funksionet qeverisëse, një ide e hedhur nga figura të njohura të PD.
Edi Paloka: “Unë jam nga ata që mendoj që edhe rezultati i zgjedhjeve duhet të ishte shumë më i mirë nëse ne do të bënim të funksiononte partia. Sepse unë e kam thënë dhe atëherë, qeveria funksionon shumë mirë, ne po e drejtojmë vendin shumë mirë. E vetmja gjë që ne na mungon është lidhja e militantëve, pra u krijua një lloj shkëputje e militantëve, anëtarëve të partisë me drejtuesit e ekzekutivit. Nëse ne eliminojmë këtu jam i bindur që gjërat do të funksionojnë shumë më mirë.”
Ndryshimet në statut do të marrin vulën përfundimtare në Kuvendin Kombëtar të PD në 12 Dhjetorit, kuvend që do të zgjedhë dhe kryetarin e kësaj force politike.
Kandidatura e vetme është ajo e kreut historik të partisë, Sali Berisha. Një fakt që për Edi Palokën nuk e zbeh aspak frymën demokratike të procesit.
Edi Paloka: “Mungesë demokracie do të kishte nëse dikush tjetër që dëshiron të kandidojë do të pengohej të kandidonte apo do i krijoheshin vështirësi të ndryshme një kandidati tjetër për të konkurruar me zotin Berisha. Fakti që nuk ka, të paktën deri tani një kandidaturë tjetër unë mendoj që lidhet me një fakt të thjeshtë që Berisha është lideri i kësaj partie dhe për momentin nuk besoj se ka njeri që mendon që mund ta konkurrojë, është shumë e thjeshtë. Por nëse dikush do donte të konkurronte dhe do të pengohej, atëherë kjo do të ishte mungesë demokracie. Ne farsa si ato të Edvin Ramës nuk kemi pse bëjmë.”/tvklan.al