Parlamenti miratoi komisionin e posaçëm për kodin zgjedhor duke i hapur dritën jeshile realizimit të reformës elektorale brenda këtij sesioni kuvendor. Sipas vendimit të miratuar ne seancën plenare komisioni në fjalë ka një mandat pune prej një muaj, do të drejtohet nga dy bashkëkryetarët Ilir Rusmali dhe Fatmir Xhafaj, ndërsa partitë e tjera parlamentare do të jenë të përfaqësuara me krerët e grupeve.

Ndërkaq parlamenti shtyu miratimin e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, duke rikthyer draftin për tu riparë në këshillin e rregullores me qëllim që të kishte një formulim më të qartë amendamenteve. Nga ana tjetër socialistët tërhoqën propozimet e tyre dhe braktisën seancën gjatë diskutimit të kësaj çështje.

Valentina Leskaj: “Ne e kuptojmë se pse juve e bëni këtë. Juve e bëni këtë para se të vijnë dekretet e presidentit që të kufizoni ose zeroni funksionet e presidentit. Por ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje, kjo nuk është lojë e ndershme që bëhet në parlament. Prandaj unë dua të them që ne si grup parlamentar, për sa kohë që ju të diskutoni dhe të miratoni rregulloren do jemi jashtë seancës dhe do kthemi në pikën tjetër të rendit të ditës.”

Astrit Patozi: “Gjithçka thuhet nga përfaqësuesit e opozitës nuk është gjë tjetër veçse një lojë e pastër politike. Por unë do t’i ftoja kolegët e opozitës që të vinin në këtë sallë dhe të bashkoheshin me ne, sepse kjo rregullore sigurisht që ka nevojë edhe për plotësime të tjera. Por qëndrimi i tyre refraktar na ka detyruar ne sot që ta bëjmë debatin vetë.”

Dy grupet parlamentare paraqitën javën e kaluar dy propozime për ndryshimin e rregullores të cilat u përfshinë për shqyrtim me procedurat e përshpejtuara në punimet e Kuvendit./tvklan.al