Jozefina Topalli: “73 deputetë pro për ngritjen e komisionit të hetimor për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Ja zotërinjtë që nuk pranojnë, ja këto që tërhiqen, kjo është teatrit absurd që luani, kjo është gënjeshtra që luani.”

Pas më shumë se 20 orë debatesh dhe diskutimesh parlamenti miratoi me votat e mazhorancës ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.

Ky zhvillim erdhi pas vendimit të socialistëve për tu tërhequr nga nismat e tyre ligjore për hetimin e zgjedhjeve dhe diskutimin e mëtejshëm të tyre në Parlament.

Gramoz Ruçi: “Duke parë dhe njëherë mungesën e vullnetit tuaj politik për të realizuar atë qëllim, atë objekt, ato mjete që kërkojmë në konform kushtetutës, konform vendimin të Gjykatës Kushtetuese, konform interpretimit të Komisionit të Venecias, konform  precedentit të 2005, ne e tërheqim nismën tonë.”

Astrit Patozi: “Për shkak se ju tërhiqeni nga kjo nismë ne në një farë mënyre e pranojmë, por nuk pranojmë tërheqjen nga komisioni hetimor dhe e bëjmë nismë tonën.  E miratojmë sot me emrat tanë dhe lejmë bosh vendet tuaja. E bëjmë atë sot dhe ju e keni derën e hapur, zini vendet jo vetëm karriget e Parlamentit, por edhe vendet e këtij komisioni në rast se doni të dëshmoni qytetarëve shqiptar se e keni me gjithë mend të ashtuquajturën transparencë.”

Për socialistët hedhja në votim e nismës për ngritjen e komisionit hetimor përbën një shkelje procedurale. Ndërsa sipas kryeparlamentares Topalli, ky qëndrim ka të bëjë me mungesën e vullnetit të opozitës për të hetuar zgjedhjet.

Gramoz Ruçi: “Në emër të grupit parlamentar të PS ju kërkoj juve të mblidhni konferencën e kryetarëve lidhur me situatën dhe kërkesën tonë.

Jozefina Topalli: “Zoti Balla tërhiquni nga ngritja e komisionit hetimor për transparencë dhe hetim të plotë.”

Taulant Balla: “E nderuar zonja kryetare, unë deputeti Taulant Balla tërhiqem nga nismat ligjore të propozuara.”

Jozefina Topalli: “Bravo, ja ta shikojnë shqiptarët për çfarë keni folur këto 7 muaj.”

Ndryshimet e bëra nga demokratët në projektvendimin e paraqitur nga PS për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit synojnë të bëjnë transparencë të plotë për çdo çështje përveç atyre për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit.

Janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në prokurori.

Gjithashtu saktësohet se objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe të përmbajë fakte të cilat tregojnë qartë se për çfarë po hetohet.

Mazhoranca ra dakord që komisioni të ketë në përbërje të tij 15 anëtarë, ku kryetari i takon opozitës./tvklan.al