Me 127 vota pro, Kuvendi miratoi në parim rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Ndonëse me rezerva për meritat e qeverisë lidhur me ecurinë e këtij procesi opozita dha konsensusin për nismën e demokratëve duke parashtruar që në krye të herës sugjerimet përkatëse për përmbajtjen e rezolutës.

Arta Dade: “Sot është dita për ta përfaqësuar njëzëri, ëndrrën e vjetër të gjithë shqiptarëve, pavarësisht përkatësive të tyre partiake për të lëvizur më në fund lirisht në Evropën e mrekullive të kulturës dijes  dhe lirive të njeriut. Të heqim nga projektrezoluta e propozuar prej jush elementët e propagandës suaj partiake, të cilat as e përshpejtojnë heqjen e vizave, dhe as e bëjnë konsensual një dokument që vlerën e vetme ka pikërisht konsensusin.”

Sipas Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha kjo rezolutë konfirmon jo vetëm vullnetin e mazhorancës për integrimin e vendit në familjen evropiane, por dëshmon edhe një përparim të dukshëm në plotësimin e të gjitha standardeve të kërkuara nga Brukseli.

Lulzim Basha: “Shqipëria ka shënuar një revolucion të vërtetë në dokumentet biometrike, si kartat e identitetit ashtu edhe pasaportat. Arritja më domethënëse është instalimi dhe funskionimi i plotë i sistemit Tims dhe 24 pikat e kalimit kufitar. Prioritet i rëndësishëm ka qenë dhe mbetet zbatimi i strategjisë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të terrorizmit sipas plan-veprimit me masat për çdo institucion.”

Për kryeministrin Berisha vullneti i shprehur në këtë rezolute mbështetet mbi arritjet e qeverisë në procesin e reformave integruese te vendit, çka sipas tij nuk përjashton  institucionet shtetërore  dhe parlamentin nga kjo arritje .

Sali Berisha: “Kërkesa për të fshirë arritjet është një kërkesë  bizare sepse në rast se nuk do të  kishte arritje nuk besoj që ne do të bënim hipokrizinë e votimit të kësaj rezolute. Në plotësimin e udhërrëfyesit për heqjen e vizave  ka një kontribut jo më pak se 40 institucione dhe agjenci të këtij vendi. Nuk mund të imagjinoj që parlamenti të kërkojë heqjen e vizave pa shprehur një vlerësim për një pune normë që është bërë, për reformat e thella që janë ndërmarrë.”

Gramoz Ruçi: “Sugjerimi dhe propozimi jonë është që në të dyja, ne të shprehemi  me votën tonë për vullnetin politik që na bashkon për të konfirmuar këtë çështje dhe këto  2 gjëra të rregullohen në draftin përfundimtar të rezolutës.”

Sali Berisha: “Kompromisi këtu mund të bëhet duke e zgjeruar spektrin me institucionet apo autoritetet shtetërore  si të dojë. E dyta e kanë frikën tek vullneti, po e heqim vullnetin more zotëri. Lëre mos e pyet.  Në përmbushje të misionit të kuvendit si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve shqiptar. Dakord. Kaq.”

Pas ndryshimeve që morën konsensusin e palëve, drafti përfundimtar i rezolutës pritet të kalojë për votim në tërësi në seancën e radhës./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro