Pas marrjes zyrtarisht të vulës së Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mbështetësit nga dritarja e banesës pas vendimit të Apelit, ku dhe ka përshëndetur simpatizantët e tij. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha është shprehur se flamuri i PD-së sot dhe përjetë i takon atyre dhe se dita e sotme është një mrekulli e lirisë për shqiptarët.

Sali Berisha: Sot është një nga ditët më të veçanta në historinë, në përpjekjen e shqiptarëve për demokraci. Në 33 vite, ne së bashku kemi kaluar plot ditë gëzimi. Kemi shënuar fitore historike për kombin. Kemi realizuar projekte jetëndryshuese për shqiptarët. Kemi fituar zgjedhjet, madje kemi pasur edhe fatin dhe bekimin e rrallë, që shumë pak vetave u jepet në kohëra, që të ndajmë epokat dhe të ndryshojmë historinë.

Nga kjo kronologji ngjarjesh, gëzimesh, fitorja për të cilën duhet të ndihemi më shumë krenarë, është fitorja e sotmja kundër diktaturës të bazuar në aleancën me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Duhet të ndjehemi sot krenarë që sepse qëndruam fort për këtë flamur! Fakti që ky flamur sot dhe përjetë na përket ne është një mrekulli e lirisë për të gjithë shqiptarët!

Sepse të gjithë e pamë çfarë ndodhi. Këtë flamur kërkuan ta zhdukin! Çdo pushtues, çdo barbar kur ngul kthetrat e sundimit në një komb apo shoqëri, më së pari kërkon të shkatërrojë simbolet e vlerave. Shqiptarët e dinë këtë më mirë se kushdo tjetër. Sepse në një nga kapitujt më të nxirë të historisë sonë, regjimi i Enver Hoxhës shkatërroi simbolet fetare, përdhosi simbolet kombëtare. Në 45 vite diktaturë komuniste me persekutime, tortura dhe vrasje, akti makabër ndaj simboleve do të mbetët një nga krimet më tronditëse nga histori.

Dhe jo shumë vonë, Zoti dhe kombi shqiptar i dënuan ata për gjithë krimet e tyre ndaj shqiptarëve.  Duke sjellë në jetë këtë flamur ngjyrë blu, këtë flamur që u priu shqiptarëve në vitin 1992, dhe rrëzuan diktaturën më të egër në Europë, sot çdo shqiptar ndjen flladin e lirisë qëpo vjen. Sot më shumë se kurrë sepse historinë po kërkojnë ta ndryshojnë. Ky flamur realizoi të pamundurën.

Shembi komunizmin. Kjo ndodhi sepse te ky flamur u derdh besimi i gjithë shqiptarëve për mundësitë e pafundme që ofron ky komb i bekuar. Te ky flamur lindi ëndrra e shqiptarëve për liri. Dhe me këtë flamur demokracia në Shqipëri erdhi në jetë! Ishte nën shëmbëlltyrën e këtij flamuri, që Shqipëria nga honet e historisëm, u bë zonje dhe u ngjit në piedestalin e fitoreve të mëdha dhe me këtë flamur ajo do bëhet zonjë e rëndë ashtu siç e deshën ata që e themeluan!

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka thënë se nga të gjitha fitoret dhe gëzimet e demokratëve, fitorja e sotme do të shënohet në histori si më e rëndësishmja.

Sali Berisha: Por vitet e fundit, me të njëjtën egërsi që komunistët shkallmuan simbolet fetare, përdhosen simbolet kombëtare, kërkuan në hakmarrjen më primitive të zhduknin flamurin e lirisë, e demokracisë në Shqipëri Ishte planifikuar që ky flamur të zhdukej dhe të mbetej një relike e historisë. Kësaj here jo nga komunistët, por nga një formë e re perverse diktature, që së fundmi u pagëzua edhe nga mediat ndërkombëtare si shtet i mafies, si narkoshteti! Ishte pikërisht lufta jonë ndaj këtij narkoshteti, ishte ekspozimi që u bëmë vjedhjeve të tyre monstruoze, denoncimet qe ne bëmë ndaj krimeve të Edi Ramës, që nisën këtë luftë të egër ndaj flamurit të Partisë Demokratike. Dhe e paguam me sakrifica këtë luftë kundër narkoshtetit. Që nga kryetari, që është prej muajsh në arrest pa asnjë akuzë, e deri te mbështetësi më i ri i Partisë Demokratike, të gjithë kemi bërë pjesën tonë të sakrificave. Por pse sakrifikojmë ne?

Ne sakrifikojmë për dinjitetin e shqiptarëve. Ne sakrifikojmë për pluralizmin politik Ne sakrifikojmë për interesin kombëtar. Ne sakrifikojmë për demokracinë. Dhe në këto sakrifica, ne ia dolëm që ta shpëtojmë flamurin e Partisë Demokratike. Me këtë flamur ne sot i fshijmë lotët Shqipërisë, e cila në 10 vite ka humbur 35% të bijve dhe bijave të saj nga regjimi i Edi Ramës. Nga një shpopullim genocidal, që se ka parë kurrë historia e Shqipërisë. Nga një shpopullim genocidal, plotësisht i qëllimshëm, nga narkoshteti i Edi Ramës. Prandaj nga gjithë fitoret dhe gëzimet e demokratëve, fitorja e sotmja do të shënohet në histori si ajo më e rëndësishmja. Sepse sot ky flamur u përjetësua, si simboli i kryengritjes më epike të shqiptarëve ndaj së keqes.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka ftuar çdo qytetar që t’i bashkohet Partisë Demokratike teksa ka thënë se dera është e hapur për kontributin dhe mendimin ndryshe për çdo demokrat. Më tej, kryedemokrati është shprehur se me vendimin e sotëm të Apelit për vulën e PD-së, nuk ka fituar Berisha, por demokracia.

Sali Berisha: Miqtë e mi, kam marrë me qindra e e mijëra mesazhe. Por do u citoj vetëm dy prej tyre. Njërin e kam nga Shqipëria, një avokat i vërtetë i demokracisë dhe vlerave të saj, publicist, shkrimtar, më shkruan se u gëzova aq shumë nga ky lajm, saqë përqafoj çdo njeri që më del përpara në rrugë. Mesazhi tjetër vjen nga njëra prej mikeve më të shquara të këtij kombi, e cila shkruan se pasi mora këtë lajm, u shkreha në lot për Shqipërinë dhe shqiptarët nga gëzimi. Sot është dita të përulem me respektin më të madh përpara çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në Kuvendin e 11 Dhjetorit, të shpëtimit të opozitës në Shqipëri!  Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët, me guximtarët! Lavdi Zotit!  Askush nuk e ka provuar vërtetësinë e kësaj aksiome se sa ne, demokratët shqiptarë. E provuam gjatë 30 viteve, në fillimet e pluralizmit dhe rrëzimin e diktaturës. E provuam në vitin 1997, gjatë rebelimit komunist kur u ngritëm si Feniksi nga hiri dhe u rikthyem përsëri. E provuam këto dy vite, pavarësisht presionit, padrejtësive e kërcënimeve, ne ia dolëm të mbetemi të lirë, të mos kapemi, të mos shitemi dhe të mbi të gjitha të mos zhdukemi. Qëndruam për FLAMUR! Qëndruam për FLAMUR! Në këtë flamur sot valëvitet demokracia. Në këtë flamur sot valëvitet liria. Në këtë flamur sot valëvitet shpresa. Në këtë flamur sot valëvitet beteja dhe fitorja e ardhshme. Ky flamur sot është një mësim që çdo betejë mund të fitohet. Dhe çdo e keqe mund të kapërcehet! Sot është dite e mirë për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike, me flamurin e saj, pasi ky flamur fshin çdo pengesë, çdo ndarje të tyre me shumicën e vëllezërve dhe motrave!  Dera është e hapur për kontributin dhe mendimin ndryshe të garantuar për çdo demokrate dhe demokrat!  Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por ka fituar demokracia. Sot ka fituar çdo shqiptar që beson se me pluralizmin e marrë peng, liria nuk ekziston. I vetmi i humbur sot është Edvin Kristaq Rama.


/tvklan.al