“10 të arrestuarit si pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës, u lanë në qeli nga Gjykata e Posaçme, e cila për afro 2 orë dëgjoi këtë të hënë SPAK-un dhe të hetuarit. Këta të fundit pretenduan nëpërmjet avokatëve se arrestimet ishin të paligjshme dhe nga aktet që i janë vënë në dispozicion, ka mungesë provash”, raporton gazetarja Bleona Metushi.
Por gjykata nuk i mori parasysh këto qëndrime duke caktuar arrest në burg pa afat për ta gjatë hetimeve që po kryen SPAK, që i dyshon si financues dhe organizatorë të trafikut.
“Ndërkohë, 2 shtetasit nga Venezuela, të arrestuar për këtë dosje patën alibi përballë gjykatës për arsyen pse ndodheshin në Shqipëri. Njëri prej tyre tha se kishte ardhur për të mbjellë flokët, teksa tjetri se kishte ndaluar përkohësisht këtu pasi po shkonte në Turqi për të blerë rroba”, raporton gazetarja Bleona Metushi.
I treti, shtetasi kolumbian, rezulton që të ishte në Shqipëri që prej 1 viti. Edhe ai mohoi implikimin në çështje të trafikut të drogës.
SPAK thotë se këta persona, në bashkëpunim kanë arritur që nëpërmjet kamuflimit në lëkurë gjedhi, të fusin kokainë nga vende të Amerikës Latine në muajin Shtator dhe Nëntor në Shqipëri.
SPAK ka përgjuar në mënyrë ambientale të arrestuarit dhe i ka vëzhguar në terren, gjatë takimeve që kanë bërë në magazinën e përshtatur si laborator dhe ambientet e tjera ku janë takuar.
Tv Klan