Të hënën, 10 të arrestuarit si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin drogë nga vendet e Amerikës Latine do të dalin para gjykatës për verifikimin e masave të sigurisë. SPAK thotë se grupi që vepronte si një rrjet ndërkombëtar, i ka mbajtur të hetuarit për disa muaj në vëzhgim dhe përgjim.
Kështu ka mundur të përcaktojë se në rolin e financuesve dhe organizatorve të kësaj veprimtarie ishin shtetasit Klajd Birçe, Geis Fejsullai, Aldi Zonja dhe Artion Çaushllari.
Droga e cila futej në Shqipëri nëpërmjet lëkurë së gjedhit, ekstraktohej më pas nga kimistët nga Venezuela dhe Kolumbia në laboratorin në Qerekë të Fushë Krujës. Materialet ndihmëse dhe vendet nga bëhej më pas shpërndarja e saj për tregun vendas dhe europian ishin dy banesa në Tiranë dhe Durrës.
SPAK ka arritur të sekuestrojë 48 tonë lëkura gjedhi në të cilën është fshehur edhe lënda narkotike, që sipas përgjimeve të kryera janë futur në Shqipëri në muajin Shtator dhe në fillim të Nëntorit.
Gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e të premtes, në 15 Nëntor u sekuestruan lëndë narkotike, përzierës për lëndën narkotike, vlera monetare dhe sende të tjera si telefon apo materiale të tjera të nevojshme për ngritjen e laboratorëve.
Tv Klan