Laçi është skuadra e momentit në Superligën shqiptare. Ndryshimet në stol kanë dhënë frytet e duhura të kurbinasit, të cilët në 3 ndeshjet e fundit kanë koleksionuar 7 pikë. Emërimi në pankinë i Françesko Moriero ka sjell atë që pritej.
Dy fitore dhe një barazim është bilanci i ekipit bardhezi, rezultate të arritur kundër rivalëve më të fortë në letër, si triumfi ndaj Vllaznisë dhe Egnatias apo edhe ndarja e pikëve me Tiranën.
Italiani duket se ka gjetur çelësat e suksesit te Laçi, që shpreson te largimi sa më shpejt nga zona e ftohtë e renditjes. Përpos pikëve, repartet kanë bindur në urdhërat e Morieros. Në tre ndeshjet e fundit janë shënuar 6 gola, nga 10 në total, ndërsa ka pësuar vetëm dy herë.
Bilanc tepër pozitiv nga ana e skuadrës kurbinase, e cila shndërrohet në skuadrën më të mirë të Superligës. Përballja e radhës për Laçin do të jetë ndaj Bylisit, rival direkt për momentin në zonën e ftohtë të renditjes.
Klan News