Në dy seanca të ndara, të zhvilluara njëra pas tjetër, ndaj Laert Haxhiut u miratuan dy masa sigurimi “arrest në burg” të dhëna gjatë viteve që ishte në arrati.
Për herë të parë që nga nga shpallja e tij në kërkim në vitin 2016, Laert Haxhiu, doli këtë të premte përballë një gjykate shqiptare për t’u përballur me akuzat se ka krijuar një grup kriminal të cilët janë përgjegjës për disa vrasje, shpërthim me tritol dhe grabitje.
Ai kundërshtoi akuzat nëpërmjet avokatit të tij Detar Hysi, por nuk zgjodhi të flasë për gjykatën.
32-vjeçari u ekstradua dy ditë më parë nga Greqia, aty ku për disa muaj zhvilloi disa procese gjyqësore ku kundërshtonte sjelljen e tij në Shqipëri.
Haxhiu është gjetur fajtor nga Gjykata e Posaçme për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, me 2 të vrarë dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjithashtu është dënuar për vrasjen në tentativë të Xhulio Shkurtit në vitin 2016 me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës.
Ndërkohë, ai është nën hetim nga SPAK pas dëshmisë së dhënë nga Artan Tafani, dikur pjesë e grupit të Haxhiut sot bashkëpunëtor i drejtësisë, që e konsideron atë si drejtuesin e grupit që kishte kryer të paktën 4 vrasje dhe krime të tjera kundër jetës.
Tv Klan