Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë që mbyll përjetë në qeli Laert Haxhiun për masakrën e Lushnjës në 11 Tetor të 2017.
Për të njëjtën ngjarjen ku humbën jetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, më herët GJKKO ka dënuar përjetë Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin.
Shënjestër e atij atentati, sipas SPAK, ishte Xhulio Shkurti, person me të cilin Laert Haxhiu ishte prej vitesh në konflikt.
Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë, avokati i Haxhiut ka kërkuar kthim të çështjes në shkallë të parë dhe gjykimit me trupë të re gjyqësore.
Nga ana tjetër, prokurori Altin Dumani i pranishëm në seancë u shpreh se shkalla e organizimit të grupit është e lartë. Ndonëse se sipas prokurorit, objektivi nuk u arrit të eliminohej, për shkak se pak minuta para ngjarjes ishte larguar nga lokali ku u regjistrua masakra, grupi kishte informacion të saktë për Xhulio Shkurtin, nga hyrja e tij në Shqipëri, një ditë para ngjarjes e deri tek çdo lëvizje e tij.
Sipas SPAK, veprimet kriminale të Laert Haxhiut, Orges Bilbilit dhe Anterio Kaloshit krahas pamjeve filmike janë provuar dhe me dëshmitë e personave të plagosur dhe të pranishmëve në vendngjarje.
Në këto kushte gjykata ka lënë në fuqi dënimin përjetë ndaj Laert Haxhiut.
Krahas këtij procesi, 32-vjeçari i ekstraduar nga Greqia në Korrik të këtij viti, pritet të gjykohet edhe si drejtues i një grupi kriminal për disa vrasje, atentate, shpërthime me eksploziv të ndodhura në vitet e fundit të rrëfyera nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani.
Tv Klan