#Lajme, #edicioniinformativ ora 23:45 data 28 Nëntor 2022 #TvKlan #KlanLajme

Spiker: Redi Prifti

Headlines 28 Nëntor 2022

110 vjet pavarësi, Vlora bashkon krerët e Kosovës dhe Shqipërisë.
Vlora bëri bashkë sot krerët më të lartë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës në kremtimin e 110-vjetorit të Pavarësisë. Mesazhin e dha Presidenti i Republikës, Bajram Begaj që theksoi se heronjtë janë shembull për bashkimin kombëtar.

Biden e Blinken urojnë shqiptarët për ditën e flamurit: Mbështetje për ne në BE.

Presidenti Amerikan Xho Bajden dhe sekretari i shtetit Entoni Blinken uruan sot shqiptarët për 110-vjetorin e Pavarësisë. Në një mesazh drejtuar presidentit Begaj, kreu i shtepisë së Bardhë shpreh mbështetje për rrugën e Shqipërisë në BE.

Tirana, Vlora e Korça tërheqin pushues, por më shumë pushuan jashtë.
Tirana, Vlora dhe Korça janë 3 qytetet që kanë tërhequr më së shumti vizitorët vendas dhe ata që kanë ardhur nga jashtë për festën e pavarësisë dhe asaj të çlirimit. Pësojnë rritje edhe ata që kanë zgjedhur të udhëtojnë jashtë vendit.

Zhvatnin qytetarët, burg për 2 policët. Përdornin prangat dhe armën e punës.
Gjykata la në burg pa afat dy punonjësit e policisë, Serxhio Cani dhe Sajmir Muzikanti që zhvatnin qytetarët. Ata i mohuan akuzat, por prokuroria zbuloi se ata kishin përdorur armën e punës dhe prangat për të kërcënuar qytetarët.

Goditet superkarteli i drogës, 6 bosët fshiheshin në Dubai. Kapen 30 ton kokainë.

Europol shkatërroi një prej karteleve më të mëdha të drogës, duke arrestuar 49 persona dhe sekuestruar 30 tonë kokainë. Super-Operacioni u shtri në 6 shtete dhe u finalizua me kapjen e 6 bosëve të krimit që fshiheshin në Dubai.

Zgjerohen protestat kundër XI Jinping në Kinë. Mijëra në rrugë, policia nis arrestimet.
Protestat kundër politikave të ashpra anti-Covid në Kinë po shndërrohen në lëvizje popullore kundër presidentit Shi Xhinping. Mijëra manifestues protestuan në Shangai, ndërsa policia arrestoi dhunshëm dhjetëra prej tyre.

Europa ndez dritat e festive nën masat e kursimit. Qytetet ulin shkëlqimin.

Kriza energjetike nuk e ka shuar vezullimin e dekorit të festave të fundvitit nëpër kryeqendrat europiane. Pemët e Krishtlindjeve janë gati në shumë sheshe ku megjithatë ndihen efektet e masave të kursimit.