Sulmi i dytë raketor rus ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës këtë muaj shkaktoi ndërprerje të energjisë në rajonin jugor të vendit. Zhurma e madhe e gjeneratorëve u dëgjua në Mykolaiv ndërsa bizneset e vogla dhe të mesme u detyruan ta sigurojnë vetë energjinë elektrike.

Presidenti Vladimir Putin tha se sulmi u ndërmor në përgjigje të operacioneve të Ukrainës në territorin rus me raketat amerikane ATACMS. Ai kërcënoi se herën tjetër Rusia do të përdorë sërish raketën eksperimentale balistike hipersonike “Oreshnik”. Dhe kësaj here do të sulmohen “qendrat vendimmarrëse” në Kiev. Deri më tani gjatë luftës 33-mujore, Rusia nuk ka goditur ndërtesat qeveritare të Ukrainës, parlamentin apo zyrën e presidentit.

“Sigurisht, ne do t’u përgjigjemi sulmeve të vazhdueshme në territorin rus me raketa me rreze të gjatë të prodhimit perëndimor, duke përfshirë mundësisht vazhdimin e testimit të Oreshnikut në kushte luftarake, siç u bë më 21 Nëntor.”

Putini foli para udhëheqësve të aleancës së sigurisë të vendeve ish-sovjetike në një samit në Astana të Kazakistanit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se Rusia përdori raketa lundrimi me municione thërrmuese në sulmin e fundit që ndërpreu energjinë elektrike për mbi një milion banorë, diçka që e quajti “përshkallëzim të neveritshëm”.

Presidenti Putin shkoi më tej me kërcënime kur shtoi se prodhimi rus i sistemeve të përparuara raketore tejkalon me dhjetë herë atë të NATO-s dhe se Moska planifikon të rrisë prodhimin. Por raketat amerikane ATACMS dhe ato britanike Storm Shadoë janë problemi i fundit i Putinit. Ai shqetësohet se Ukraina do të riarmatoset me raketa bërthamore dhe këtu lëshoi një tjetër kërcënim.

“Nëse vendi me të cilin jemi në luftë tani bëhet një fuqi bërthamore, çfarë të bëjmë? Në këtë rast, ne do të përdorim të gjitha, dua ta theksoj këtë, pikërisht të gjitha mjetet e shkatërrimit në dispozicion. Gjithçka: nuk do ta lejojmë, do të vëzhgojmë çdo lëvizje të tyre.”

Gazeta “New York Times” raportoi javën e kaluar se disa zyrtarë perëndimorë të paidentifikuar kanë sugjeruar që presidenti i ShBA Joe Biden t’i japë Ukrainës armë bërthamore përpara se të largohet nga detyra. Tani, shpresat e Putinit tani janë varur tek presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump. Ai e quajti atë politikan me përvojë dhe inteligjent dhe sipas traditës së propagandës ruse, shtoi se jeta e tij është ende e pasigurtë.

Klan News