Pritjes për të fituar një çmim të madh në Formula 1 i erdhi fundi. Pas 110 garave dhe 15 herë mes vendit të dytë dhe të tretë, Lando Norris ngjitet më në fund në shkallën më të lartë të podiumit. Çmimi i Madh i Majemit ishte fantastik për pilotin e McLaren për të festuar në mënyrën e duhur një fundjavë fenomenale.
Britaniku përfitoi nga makina e sigurisë për të krijuar diferencat me rivalët dhe arritur të fitojë garën e parë në karrierën 5-vjeçare në Botën e Formula 1.
“Ka kaluar një kohë e gjatë, por më në fund ia kam dalë të fitojë. Jam shumë i lumtur për të gjithë ekipin tim, më në fund arrita ta bëj realitet. Ditë e gjatë dhe garë e vështirë, por më në fund jam në krye, kështu që gjendem mbi hënë. Kam bërë shumë gabime në 5 vitet e mia në pistë, por tani nuk ka më dyshime, unë fitova”.
Norris u bë piloti i 21-të britanik që fiton një garë të Formula 1 dhe i pari i skuderisë McLaren që fiton një Çmim të Madh, pas Daniel Ricciardo në pistën italiane në vitin 2021. Një sukses i dytë për këtë kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi edhe në vitin 2012 fitoi garën me pilotin Ljuis Hamilton.
24-vjeçari është edhe piloti i 114 në historinë e Formula 1 që fiton një garë të këtij niveli. Norris u nis nga vendi i pestë, ndërsa la pas krahëve 3 herë kampionin e Botës, Maks Vershtapen dhe Sharls Leklerk. Pas 6 garave të para, Vershtapen kryeson renditjen e pilotëve me 136 pikë, ndërsa pas tij gjendet Serxho Perez me 103 pikë dhe Sharls Leklerk me 98 pikë.
Klan News