Sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi ka njoftuar këtë të martë se rrugëtimi i tij me ekipin kombëtar të Shqipërisë ka përfunduar, ku në një postim në rrjetet sociale, ai ka shprehur mirënjohjen e tij për ato që ka arritur në fushën e blertë me kombëtaren.

Për të folur lidhur me këtë dhe zhvillimet përpara nisjes së Europianit, në një lidhje direkte në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, ishte trajneri Shpëtim Duro dhe gazetari Erion Todhe. Trajneri Duro u shpreh se i vjen keq për faktin që Cikalleshi nuk është pjesë e listës për Euro 2024 dhe se nuk e priste një vendim të tillë.

Shpëtim Duro: Me thënë të drejtën më bëri përshtypje reagimi i Cikalleshit, një reagim fisnik. Një futbollist i jashtëzakonshëm që ka dhënë një kontribut të vyer për ekipin tonë, por mbi të gjitha vazhdon me atë karakter edhe si njeri. Pritej që lista e ekipit kombëtar kësaj rradhe dihej që do të ishte e vështirë për tu përpiluar për vetë faktin se si asnjëherë tjetër ka pasur një rivalitet të jashtëzakonshëm sa i përket organikës. Më ka ardhur shumë keq sa i përket Cikalleshit. Edhe për Uzunin më ka ardhur keq edhe për Baren, por ky ka qenë një futbollist që ka qenë stabël edhe vitin e fundit me përfaqësuen e Silvinjos. Nuk e prita, por këto janë vendime profesionale dhe edhe nëse do të qëndronte ndonjë lojtar tjetër jashtë listës do të kishim të njëjtat kontestime.

Ndërsa gazetari Erion Todhe shprehet se Cikalleshi duhet të ishte pjesë e listës jo vetëm për kontributin e tij në kombëtare, por edhe sepse ai do të ishte i vlefshëm gjatë Euro 2024.

Erion Todhe: Nuk është e thjeshtë të largosh një lojtar të tillë si Cikalleshi. Sigurisht që trajneri nuk e ka pasur të thjeshtë. Nuk e di çfarë i ka mbushur mendjen trajnerit që të mos e grumbullojë Sokol Cikalleshin, ashtu sikurse tha ai dha disa kritere që deri diku binin ndesh me njëra-tjetrën. Të paktën Cikalleshi duhej të ishte jo vetëm për kontributin që ka dhënë, por besoj se ai do të ishte i vlefshëm akoma për kombëtaren. Megjithatë duke qenë se e di që trajneri Sylvinho bashkë me stafin e tij analizojnë si futbollistët tanë, si performacat, si reagimet e tyre kam përshtypjen që ai ka analizuar disa gjëra dhe ka menduar se Cikalleshi nuk i vlente për këto finalet e Europianit. Ndoshta ka dashur mos të ketë një dublim mes Cikalleshit, Dakut dhe Brojës sepse mund të ketë qejfmbetje mes tyre nëse aktivizohet njëri apo tjetri. Sigurisht që Cikaleshi është i qejfmbetur, por mua më vjen keq sepse e kam parë sa ai e ndjen fanelën e kombëtares, peshën e kombëtares.

Trajneri Duro gjatë bisedës tha se edhe Cikalleshi e kishte të qartë se nuk do të ishte më pjesë e kombëtares pas Europianit për shkak se një brez i ri futbollistësh po afrohen, sidomos në vijën sulmuese.

Shpëtim Duro: Patjetër Cikalleshi do të jetë i mërzitur është normale, por përsëri e them që ai përtej dëshpërimit është një djal fisnik dhe profesionist dhe kjo është jetëgjatësia e tij si futbollist. Do të ishte aktiviteti i fundit i Cikalleshit sepse edhe mosha bën të vetën edhe pse ai është futbollist që është në formë të mirë, por ne kemi një brez futbollistësh të rinj që po afrohen sidomos në vijën sulmuese dhe ai e ka të qartë këtë situatë që nuk do të ishte pas Europianit më pjesë e ekipit kombëtar.

Ndërkohë sa i përket paralelizmit mes lënies jashtë listës së Gjimshitit në Euro 2016 dhe Cikalleshit në Euro 2024 gazetari Todhe thotë që nuk mund të bëhet një paralelizëm i tillë për shkak të kontributit shumëvjeçarë të Cikalleshit në ekipin e kombëtares.

Erion Todhe: Një krahasim i tillë nuk mund të bëhet për shkak të moshës. Unë mendoj që Cikalleshi është një lojtar mjaft i vlefshëm në situata të ndryshme loje, por edhe gjatë gjithë lojës. Unë do të isha që ai të ishte aty në kombëtare madje të ishte edhe titullarë. Një rast i tillë dhe paralelizëm i tillë nuk mund të bëhet në këtë moment sepse ai ka shumë vite që kontribuon në kombëtare. Unë them që Cikalleshit dikush i ka borxh… Mënyra se si ndodhi, nuk duhet të ndodhte kështu. Duhet të ishte bërë në një formë tjetër për kontributin dhe për vlerat që ai ka./tvklan.al