Një tragjedi kombëtare trondit Poloninë. Elita politike dhe ajo ushtarake janë shuar pas një aksidenti të rëndë ajror të ndodhur paraditen e sotme në Rusi.
Rënia e avionit presidencial në Smolensk i ka marrë jetën presidentit polak, Lech Kazinski, ndërkohë që në bordin e avionit presidencial ndodheshin 96 pasagjerë, 88 nga të cilët anëtarë të delegacionit.
Autoritetet në vend kanë shpallur një javë zi kombëtare në nder të viktimave, mes të cilëve ishin bashkëshortja e presidentit Maria, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, zv/ministri i jashtëm, guvernatori i Bankës Qendrore, deputetë e historianë.
Për shumë polakë, kjo ngjarje është një goditje cinike e fatit. Gjithçka ndodhi pikërisht rrugës për në Katinë, aty ku 70 vjet më parë, 22 mijë oficerë dhe intelektualë polakë u masakruan me urdhër të Stalinit.
Kryeministri Tusk e cilësoi humbjen më të madhe për vendin që nga koha e pasluftës. Një humbje tragjike u cilësua nga shumë liderë botërorë, si kancelarja Merkel, kryeministri britanik Braun, presidenti Obama, Ministri i Jashtëm spanjoll Moratinos, ai francez Kushner, etj.
Është shuar elita e kombit tonë, tha ish-presidenti polak Lech Walesa. Mbetjet e avionit Tupolev 154 u gjendën rreth një kilometër larg aeroportit Smolensk.
Presidenti rus, Dimitri Medvedev, hapi hetimet zyrtare të cilat do të udhëhiqen nga kryeministri Vladimir Putin.
Ende nuk ka një version zyrtar për këtë ngjarje, megjithatë shkak për këtë aksident mendohet të ketë qenë mjegulla.
Avioni dyshohet të jetë përplasur me pemët, përpara se të binte në tokë e të përfshihej nga flakët.
Deri tani, gishti i përgjithësisë është drejtuar nga piloti, të cilit i ishte kërkuar të ulej në Minsk për shkak të kushteve të këqija atmosferike në Smolensk. Megjithatë, një përgjigje përfundimtare do t’i japin kutitë e zeza të avionit. Një prej tyre u gjet vetëm pak metra larg vendngjarjes.
Të shpëtuarit e kësaj tragjedie janë gazetarët, të cilët ishin lajmëruar në moment të fundit se do të udhëtonin me një avion tjetër për shkak se nuk kishte vende për ta në avionin presidencial.
Me vdekjen e Kazinskit, Polonia shkon në zgjedhje të parakohshme presidenciale, të cilat do të zhvillohen dy muaj pas caktimit të datës që do të bëhet publike në dy javët në vijim.
Këto janë pamje të Varshavës, e cila nderon në heshtje liderët politikë që nuk jetojnë më. Polonia mban frymën, sot ndryshon gjithçka./tvklan.al