Gjykata e Posaçme la në qeli pa afat ish-zyrtarin e Kadastrës, Dritan Stoka, i vënë në pranga të premten, teksa ndryshoi këtë të diel masën e sigurisë për 3 të tjerët në hetim në të njëjtën dosje. Ky vendim nxori nga qelia kryeplakun e lagjes se re në Sauk, Agim Osmanin, ndaj të cilit u caktua masa e arrestit të shtëpisë.

Alqi Hajdini ish-jurist i Kadastrës, nga arrëst shtëpie bashkë me Ylli Barutin do të hetohen me masën e sigurisë detyrim paraqitje. SPAK thotë se Stoka në bashkëpunim me kryeplakun e fshatit, Agim Osmanin në vitin 2019 kanë kërkuar nga persona të ndryshëm lista votuesish dhe orientimin e tyre si të votojnë duke u premtuar qëndrim në punë, ose nxjerrje të lejeve për ndërtimet informale në Sauk.

Ndërkohë për ish-juristin e Kadastrës dhe shtetasin Ylli Baruti, ky i fundit në rolin e sekserit, Prokuroria thotë se ka konfirmuar që në 4 raste kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje. Hetimet nisën në vitin 2020 dhe prokuroria i ka ndjekur ato me përgjime dhe vëzhgime ambientale.

Tv Klan