Vlera e bonove të privatizimit pritet të bjerë ndjeshëm në tregun e lirë të këmbimit e mbasi duke iu rikthyer niveleve të fillim Qershorit.
Shkak është bërë riaktivizimi i një sasie të konsiderueshme të letrave me vlerë që e konvertuar shkon në disa qindra-miliona dollarë të konvertuara në disa fonde piramidale investimi prej shumë vitesh.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë kaloi ligjin për sipërmarrje të investimeve kolektive, ku në një pikë të së cilës parashikohet që të gjitha bonot e privatizimit, të investuara në këto fonde, do t’iu shpërndahen individëve.
Për rregullimin e afateve dhe procedurave është ngarkuar Ministria e Financave, por më parë duhet që ky draft ligjor të miratohet nga parlamenti.
Bëhet fjalë për sasi të mëdha të letrave me vlerë që shkojnë në disa miliarda lekë të mbledhura gjatë viteve nga fonde të tilla si Anglo Adriatika, me qëllim privatizimin e aseteve shtetërore e që kanë mbetur të paaktivizuara.
Rishpërndarja e këtyre bonove tek qytetarët që investuan ato pritet të rrisë sasinë e letrave me vlerë në treg duke sjellë rrjedhimisht edhe zhvlerësimin e ndjeshëm të tyre.
Aktualisht bonot e privatizimit tregtohen për 18 deri 19% të vlerës, shifër tepër e lartë po ta krahasojmë me vetëm tre muaj më parë kur kishim të bënim me nivele që nuk i kalonin 5 apo 6%.
Rritja me disa fish e vlerës së bonove të privatizimit në treg u shkaktua nga premtimi i kryeministrit për përdorimin e tyre edhe në procesin e legalizimit për pagesën deri 80% të detyrimit të qytetarëve ndaj Aluiznit.
Por vendimi më i fundit i qeverisë për zhbllokimin e të gjitha bonove të futura në fondet e investimit pritet që të japin impakt të menjëhershëm në treg, shoqëruar me zhvlerësimin e letrave me vlerë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro