Sali Berisha: “Ju garantoj se parlamenti 2-3 javët e para të punës së tij do të miratojë ligjin për përdorimin e letrave me vlerë që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindje të përcaktuar dhe të premtuar nga qeveria.”
Kjo deklaratë e kryeministrit që përforcoi akoma më shumë idenë e futjes në lojë të bonove të privatizimit për pagesën e legalizimit është reflektuar menjëherë në tregun informal të të ashtuquajturave letra me vlerë.
Sot në Tiranë bonot e privatizimit janë blerë nga kambistët për 19% të vlerës së tyre nga 15-16% të fillim javës.
Rritja me disa pikë përqind e vlerës së bonove të privatizimit sipas kambistëve është rezultat i rritjes së kërkesës nga ana e qytetarëve që janë duke legalizuar banesat.
Prej fillimit të verës vlera e bonove është gati katërfishuar, ndërkohë që ekspertët parashikojnë rritje të mëtejshme gjatë muajit Shtator, kohë kur mendohet që parlamenti të kthejë në ligj vendimin e qeverisë për aktivizimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimit.
Sipas projektligjit të kaluar nga këshilli i ministrave një muaj më parë letrat me vlerë do të përdoren për pagesën në masën 80% të detyrimit për sipërfaqe deri në 300 metra katrorë dhe 50% të vlerës për çdo metër të ndërtesës në legalizim mbi këtë sipërfaqe.
Përfitues nga kjo skemë do të jenë dhe ata që kanë paguar tashmë detyrimet ndaj Agjencisë së Legalizimit./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro