“10 vite kuqezi, 10 vite krenari & realizim i ëndrrës së fëmijërisë”. Me këtë mesazh Ermir Lenjani njoftoi largimin e tij nga Kombëtarja Shqiptare. Mbrojtësi njoftoi vendimin në rrjetet sociale.
“Të dashur miq. Dua t’ju njoftoj se kam vendosur të tërhiqem nga Kombëtarja Shqiptare. Një vendim aspak i lehtë, por besoj që është momenti i duhur. Për mua ka qenë gjithmonë nder dhe përgjegjësi e madhe të vesh fanellën e kombit tim”.
Lenjani e nisi karrierën e tij ndërkombëtare me Shqipërinë në 2013 me Gianni De Biasin. Edhe pse mbrojtës i majtë, ai është vlerësuar për daljet e tij në aksionet sulmuese. Ai ka ndihmuar skuadrën edhe duke shënuar gola me goditje nga larg.
Në mesazhin e tij, 35-vjeçari falenderon të gjithë trajnerët me të cilët ka punuar. Edhe Sylvinhon, megjithëse me të luajti vetëm ndaj Polonisë, ndeshja e parë e kualifikueseve të Europianit në 2023 dhe e fundit për Lenjanin me përfaqësuesen shqiptare.
Ermir Lenjani vijon karrierën e tij me klube në Zvicër. Që prej dy sezonesh ai luan me Schaffhausen në ligën e dytë të futbollit.
Tv Klan