Leonard Duka, i akuzuari kryesor për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në Gusht të 2019-ës, dëshmoi për herë të parë para Gjykatës së Posaçme që nga momenti i ekstradimit të tij nga Belgjika.
Ai mohoi konfliktet me Ervis Martinajn dhe gjithashtu mohoi se të atin e tij e kishin dhunuar, teksa SPAK i konsideron këto dy shkaqet e vrasjes së ish-policit.
“Ervis Martinajn e kam pasur shok prej 15 vitesh. Më pas jemi ndarë dhe unë kam gëzuar respekt për të, secili mori drejtimin e vetë. Të dy jemi marrë me baste. I kemi pas të përbashkëta, pastaj u ndamë. Kemi nisur që në 2006. Nuk ka pasur asnjë marrëdhënie borxhi mes meje dhe Ervis Martinajt pasi jemi ndarë”, tha ai në gjykatë.
Duka tha në nisje të dëshmisë së tij se ishte shpallur në kërkim, edhe pse policia ditën kur ishte vrarë Santiago Malko e kishte shoqëruar për verifikim dhe e kishte liruar, duke pretenduar se kjo ishte bërë pas ndërhyrjeve dhe korrupsionit.
SPAK e akuzon atë bashkë të vëllain Erlis Dukën, ky i fundit në kërkim, se kanë kërkuar dhe organizuar vrasjen e Santiago Malkos, si shkak i përplasjeve që kishin me Ervis Martinajn.
Tv Klan