Përfaqësuesit e grupeve të opozitës parlamentare kërkojnë transmetimin e seancës dëgjimore për zhvillimet në Shqipëri në Kongresin Amerikan. Për këtë, ata i janë drejtuar me një letër drejtorit të radiotelevizionit publik shqiptar Artur Zheji dhe kryetarit të Këshillit Drejtues të RTSH-së Kiço Blushi.
“Duke e konsideruar të drejtën për informim si obligim ligjor dhe qytetar të institucionit që ju drejtoni, thuhet në letër, aq më tepër kur seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan tashmë është transmetuar nga disa televizione private, e shohim të nevojshme t’ju sensibilizojmë dhe njëkohësisht t’ju kujtojmë se radiotelevizioni publik shqiptar, si institucioni specifik i autorizuar me ligj, duhet të bëjë informimin e publikut shqiptar kudo që ai jeton me ngjarjet e rëndësishme për jetën e vendit.
Për arsye të nevojës për informim të publikut shqiptar, taksapagues për një shërbim të tillë, kërkojmë që institucioni që ju drejtoni të programojë në një kohë sa më të shpejtë transmetimin e plotë të seancës dëgjimore në Kongresin Amerikan”, shprehet në letrën e firmosur nga kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës./tvklan.al