Pasi është treguar e paaftë për të parandaluar grabitjen me armë të postës shqiptare në mes të qytetit, policia e Lezhës nuk ka ende asnjë emër konkret për autorët e veprës kriminale. Duke pranuar se ndodhia e pak ditëve më parë cënoi sigurinë e jetës së qytetarëve, kreu i saj ka anashkaluar përgjegjësinë e tij direkte për ngjarjen, duke fajësuar vartësit për mënyrën e patrullimit, strategji që në fakt hartohet nga ai vetë ai si titullar i institucionit.
Mërgim Hoxha: “Ne nuk kemi shërbime stabël, shërbimet e policisë së rendit patrullojnë gjatë gjithë kohës nëpër qytet. Në momentin që ka ndodhur grabitja vërtet nuk janë gjendur shërbimet e policisë para Bankës Kombëtare Tregtare. Të gjithë stafet e policisë, të gjithë efektivët e policisë ka filluar një krehje masive e zonës së treshit. Në këto rrethana autorët janë ndjerë aq të pasigurt sa i kanë vënë zjarrin autoveturës dhe janë larguar në drejtim të paditur.”
Në kundërthënie me vetë deklaratat e tij për bashkëpunim të dobishëm me qytetarët në të shkuarën, kreu i policisë së Lezhës kësaj here e ka quajtur të pavend shqetësimin e banorëve për bashkëpunim të policisë me grabitësit, pohim ky që vë sërish në dyshim besueshmërinë e policisë në qëndrimet e saj.
Mërgim Hoxha: “Bashkëpunimi jonë ka qenë brilant, kjo tregon vetë fakti se për vitin 2008 nga komuniteti janë 2000 telefonata më shumë drejtuar policisë për ndihmë dhe bashkëpunim sesa në vitin 2007. Nuk kam ndonjë rast të identifikuar që policia e Lezhës bashkëpunon me krimin.
Grabitja me maska dhe kallashnikovë që ka tronditur prej disa ditësh qytetin e vogël, nuk ka ende një autor. Edhe pse sipas policisë hetimet po shkojnë drejt përfundimit, qytetarët e Lezhës mbeten të shqetësuar jo vetëm për rritjen e pasigurisë së jetës, por edhe për predispozitën e treguar nga drejtuesit e policisë për të zbardhur ngjarjen./tvklan.al
Gazetar: Gjergj Figuri