Cecilia Malmstrom, komisionerja për Punët e Brendshme në Bashkimin Evropian ka deklaruar ekskluzivisht në një intervistë për Televizionin Klan, se komisioni është i angazhuar tërësisht në përshpejtimin e heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjën dhe se procesi do të vlerësohet si teknik.

Sipas komisioneres, vizita e delegacionit të europarlamentarëve në Shqipëri është inkurajuese në këtë drejtim.

Cecilia Malmstrom: “Unë dhe komisioni jemi të angazhuar në këtë drejtim dhe unë jam takuar dhe me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Bosnjës. Ajo që pres tani është të finalizohet raporti i ekspertëve dhe unë pastaj do të lexojë të dyja raportet. Përshpejtimi varet sigurisht nga rezultatet e vet vendeve, ne kemi vendosur kritere, vendet e dinë seç duhet të bëjnë dhe ne mundohemi që t’i ndihmojmë por përshpejtimi i marrjes së vendimit lidhet  me progresin e këtyre vendeve.”

Gazetarja : Një grup eurodeputetësh ishin kohët e fundit në Shqipëri. Ata deklaruan se janë të kënaqur me përmbushjen e kritereve teknike. Sa inkurajuese është kjo  për ju që të hartoni një raport pozitiv?

Cecilia Malmstrom: “ Kjo është sigurisht shumë inkurajuese. Unë jam në kontakt me eurodeputetët dhe ne kemi dialog midis nesh, por komisioni evropian ka ekspert të shteteve anëtare  që e shohin përmbushjen e këtyre kritereve në aspekt shumë teknik, por procesi duhet të jetë i tillë. Ai duhet të jetë shumë teknik për të qenë i besueshëm. Këto raporte po finalizohen dhe shpresoj t’i  marr sapo të mbarojnë pashkët që t’i studioj dhe të nxjerr konkluzionet.

Gazetarja: A jeni optimiste për prezantimin propozimit legjislativ në fillim të Majit?

Cecilia Malmstrom: “Nuk dua të jap data të prezantimit të propozimit legjislativ tani por para se të kem lexuar raportet për të dyja vendet pasi nuk dua të krijoj pritje të kota. Unë e kuptoj rëndësinë e heqjes së vizave sa më shpejt për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës aq më tepër për të rinjtë e këtyre vendeve por nëse nuk plotësohen kushtet që janë vendosur,atëherë kjo s’do të pranohet nga disa shtete anëtare.”

Gazetarja: A mendoni se mund të kemi vendimin përfundimtar. Nuk po flas për zbatimin por për vendimin para pushimeve verore.

Cecilia Malmstrom: “Nuk dua të flas për këtë tani. Ne nga ana e Komisionit Europian jemi të angazhuar për Shqipërinë dhe Bosnjën dhe shpresoj që së shpejti do t’u jap afate shumë më precize për procesin.”/tvklan.al