Liberalizimi i vizave i Bashkimit Evropian me Shqipërinë ishte në krye të agjendës së kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli, e cila në udhëtimin e saj për një vizitë zyrtare në Suedi u ndal në Berlin të Gjermanisë ku u takua me homologun bundestag, Norbert Lammert.
Në takimin mes të dyve u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri sidomos mbi reformat e ndërmarra nga qeveria në drejtim të plotësimit të detyrimeve në proceset integruese.
Topalli shprehu besimin se Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë në heqjen e vizave për qytetarët e saj duke njohur kolegun me përmbylljen e të gjitha kërkesave lidhur me menaxhimin e kontrolluar të kufijve, vënien në funksion të teknologjive më të reja të avancuara në këtë drejtim. Të gjitha këto të lidhura me procesin e heqjes së vizave.
Në aksionin e saj përmes diplomacisë parlamentare edhe në vizitën në Suedi Kryetarja e Parlamentit është përqendruar tërësisht për të marrë mbështetjen nga vendet e BE-së për liberalizimin e shumëpritur të vizave./tvklan.al