Një ligj i posaçëm që të mbulojë aspektet e dhunës online, sidomos ndaj vajzave dhe grave ishte propozimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla, gjatë një takimi të mbajtur në Kryesinë e Kuvendit. Sipas Ballës, duhet të ketë bashkëveprim mes gjithë institucioneve për të miratuar aktet ligjore.
Taulant Balla: Të gjithë kemi gati draftet tona, Ministria e Brendshme, disa shoqata të organizatave joqeveritare, Avokatja e Popullit ka propozimet e veta. Ajo që na duhet është që këtë gjë ta kristalizojmë, na duhet një iniciativë deputetësh ku edhe unë si ministër jam gati ta firmos dhe mbi të gjitha të jetë bipartizane.
Duke folur për propozimet ligjore, ministri Balla risolli në vëmendje ngjarjen tragjike të ndodhur disa muaj më parë, ku një grua u vetëflijua pas bullizmit online.
Taulant Balla: Ai është rasti tipik! Do të denigrosh dikë, arrin të sigurosh disa foto intime, një komunikim intim dhe pastaj kjo gjëja hidhet në një rrjet social dhe kjo shkon deri në akte të rënda, humbje jete.
Sa i përket dhunës me bazë gjinore, gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë 890 persona të dëmtuar. Për vitin 2024 janë lëshuar 465 urdhra mbrojtje dhe 350 prej tyre janë gra dhe vajza.
Klan News