“Zërat amerikanë”, kështu quhet koncerti i pianistit amerikan John Ferguson dhe dirigjentit të baritonit Spolinding që do të zhvillohet ditën e premte me datë 25 Maj në TOB. Këto dy personalitete të njohur të muzikës kontemporane amerikane vijnë në kuadër të aktiviteteve kulturore të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Sipas ambasadorit Limpreht, kjo dyshe e mrekullueshme vjen në Shqipëri me një program mjaft interesant i cili do të përmbajë muzikë kontemporane e cila nuk ka asgjë të ngjashme me atë europiane.
E ftuar në këtë koncert do të jetë dhe sopranoja shqiptare Elona Çeno. Ky koncert do të nisë në orën 19:00 dhe hyrja në të do të jetë me biletë të cilat shiten pranë Akademisë së Arteve dhe çmimi i tyre do të jetë 300 lekë me përjashtim të biletave për studentët të cilët kushtojnë 100 lekë. Gjithashtu zoti Limpreht i njohu gazetarët edhe me programin kulturor të Ambasadës, program i cili përmban një festival filmi në kuadër të ruajtes së trashëgimisë filmike të mijëvjeçarit të bardhë që do të zhvillohen në Kinema Millenium në Tiranë. Mbështetjen e bienales së Tiranës ku do të zhvillohen punimet e 21 artistëve amerikanë, disa ekspozita fotografike e të tjerë./tvklan.al
Gazetare: Fjodora Fjora