Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur ditën e sotme 152 pasagjerët e parë që zbritën nga Madridi në Rinas me linjën e re të fluturimeve të kompanisë Iberia.
Është kryeministri Edi Rama që njofton në rrjetet sociale mikpritjen e stafit dhe pasagjerëve të parë. Me atë rast jep edhe njoftimin se çdo të martë, të enjte dhe të diel, Iberia do të mundësojë transportin e pasagjerëve nga Madridi në Tiranë dhe anasjelltas.
“Çdo të martë, të enjte e të diel nga Madridi në Tiranë dhe anasjelltas, me një kapacitet rreth 30 mijë pasagjerë për sezonin veror, Iberia do të ofrojë më shumë mundësi për vizitorët spanjollë, që janë ndër grupet e turistëve me rritjen më të shpejtë dhe e vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit”, shprehet Rama./tvklan.al