Gjykata e Posaçme liroi nga “arresti shtëpiak” ish-kryeministrin Sali Berisha, duke shuar masën e sigurisë në ngarkim të tij.

Gjyqtarja e Posaçme Flojera Davidhi, pranoi kërkesën e bërë nga avokatët e ish-Kryeminstrit se nuk ekzistonte asnjë kusht apo nevojë për të vijuar ndaj tij masa e sigurisë, sa kohë edhe hetimet kanë përfunduar.

Për avokatin Genc Gjokutaj heqja e masës, duhet të jetë një moment reflektimi edhe për SPAK.

Genc Gjokutaj, avokat: SPAK le të ulë kohën dhe të shikojë se çfarë ka bërë, të rikthehet në retrospektivë sepse i ka hipur një kali për së mbrapshti. Do të shikoni më tutje se çfarë do të ndodhë.

Prokuroria e Posaçme gjatë seancës u shpreh kundër revokimit të masës së sigurisë dhe pritet ta ankimojë atë në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Në 16 Dhjetor, Gjykata e Posaçme do të zhvilloj seancën paraprake për dosjen “Partizani”, ku do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për të marr të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë, me dyshimet se janë përfshirë në korrupsion e pastrim parash gjatë procedurave të privatizimit të kompleksit “Partizani”.

Vetë Berisha i ka mohuar akuzat duke i konsideruar si sulm politik. Ai qëndroi në masën e sigurimit arrest në shtëpi që prej Dhjetorit 2023.

Tv Klan