Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Lirohet pas më shumë se 24 orë ndalim, nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Ermir Gjinishi. Gjinishi ishte shoqëruar nga policia pas vrasjes së kryer në selinë e komunitetit, ku mbeti pa jetë, i qëlluar me pistoletë në kokë dhe në zemër, sekretari i këtij komuniteti Sali Tivari.
Së bashku me nënkryetarin, u ndalua në vendngjarje edhe bashkëshortja e tij Iris Gjinishi dhe disa nëpunës të tjerë të selisë. Mbi nënkryetarin e komunitetit, i ndodhur në seli, në kohën që ka ndodhur vrasja, u hodhën që në fillim hije dyshimi nga policia. Ndërkohë që në orët e para pas ndalimit, avokati i tij Saimir Visha deklaroi se çifti Gjinishi mbahej padrejtësisht në drejtorinë e policisë, pasi nuk ekzistonin dyshime të bazuara në prova.
I liruar gjatë orëve të pasdites, Ermir Gjinishi, deklaron se ndalimi i tij është kryer me statusin e dëshmitarit dhe ka sqaruar, se ai dhe bashkëshortja, megjithëse janë ndodhur në selinë e komunitetit, nuk kanë qenë pranë zyrës së Sali Tivarit në momentin e ngjarjes, madje janë informuar nga të tjerë për vrasjen e sekretarit.
Ermir Gjinishi:- “Edhe unë dhe bashkëshortja ime, nuk kemi qenë aty në momentin krimit. Unë kam qenë i dyti pasi më lajmëruan, që u futa, ndërsa bashkëshortja ime ka qenë ndoshta nga të fundit, që e ka parë viktimën”.
Ndërkohë një ditë pas vrasjes, drejtoria e policisë ka deklaruar se po punohet për zbardhjen e ngjarjes. Ndërsa pas lirimit të Ermir Gjinishit, burime policore janë shprehur se lirimi i tij vjen pasi mungojnë prova për akuzën se mund të jetë i implikuar në vrasjen e sekretarit të Komunitetit Mysliman Sali Tivari./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj